Ky ishte vlerësimi i dhënë nga Partia Socialiste përmes deputetit të saj Saimir Tahiri, kryetari i fondacionit pranë PS, “Qemal Stafa”. Tahiri tha se Sali Berisha emëroi dje Prefekt të Tiranës shokun e ngushtë të Shkëlzenit dhe Rrahmanit duke dhënë dëshminë e rradhës për pushtetin abuziv dhe financiar të cilin ai e përdor në mënyrë nepotike, klienteliste dhe korruptive. “Është tashmë e qartë për të gjithë se shteti shqiptar dhe qeveria e shërbimit e shërbesave është nënshtruar tërësisht në shërbim të Shkëlzenit, Argitës, Rrahmanit, e çdo sekseri tjetër që i bindet verbërisht interesave korruptive të Sali Berishës dhe familjes së tij. Shqipëria mbahet peng nga fëmijët dhe familjarët e kryeministrit ndërkohë që institucionet publike, ministritë, policia, dogana dhe gjithçka varet nga Kryeministri, janë vënë në shërbim të interesave pasurore të një grushti njerëzish që përveç lidhjes së gjakut i lidhin tashmë dhe interesat klanore për të vjedhur pasuritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Tahiri. Në këtë pikë, Tahiri tha se Partia Socialiste është e vendosur të demaskojë në sytë e publikut këto praktika nepotike dhe korruptive.