Rreth 10 mijë, është numri i kandidatëve që kanë aplikuar për të ndjekur studimet për Shkollën Bazë të Policisë. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se gjenerata e ligjit dhe e drejtësisë është këtu duke iu drejtuar kandidatëve. Ai tha se mbi 10 mijë konkurrentë është prova më e mirë për t’i dhënë forcë ligjit . “Do të jeni gjenerata e policisë moderne që do të garantojë sigurinë për qytetarët. Ju sot këtu, jeni nxitja më e madhe se gjenerata e ligjit dhe e drejtësisë është sot këtu. Dhe kjo më bën që unë të vijojë me reformimin e policisë së shtetit”, tha Ministri. Ai vuri në dukje se në kaq pak kohë kemi arritur te kthejmë kursin, te frenojmë degradimin e policisë, të luftojmë me paligjshmërinë dhe të arrijmë rezultate konkrete dhe ta kthejmë policinë e shtetit në krye të detyrës. “Dhe sot vendi është më i sigurtë dhe do të vijojë të jetë edhe më shumë në vazhdim sepse ne sapo kemi nisur. E gjetëm policinë në ditët e veta më të vështira. Në vitet e fundit policia u braktis, asaj u paralizua nervi i drejtësisë. Humbi besimin që mund të ekzistonte policia e shtetit pa tradhëti të vogla. Kjo sallë sot nuk është djepi por po lind brenda nesh idealin e drejtësisë” , tha Tahiri. “Ju jeni prova më e mirë që ne jemi në rrugën e duhur për të qenë krenarë për policinë e shtetit. Ne po modernizojmë shërbimin policor. Ne po ndërtojmë policinë moderne me mjete të sofistikuara dhe teknologji të lartë. Sapo keni hedhur një hap të sigurtë për të ndërtuar një Shqipëri të sigurtë. Bravo çuna dhe goca”, përfundoi ministri Tahiri. Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi e cilësoi fazën e sotme, si procesi i ripërtëritjes së policisë. “Radhët e policisë së shtetit do të rigjenerohen. Policia ka nevojë për dinamizmin e brezit të ri. Policia ka nevojë për njerëz të përkushtuar. Detyrat në fushën e rendit dhe të sigurisë janë sfiduese. Ne jemi të vendosur të përballemi me vështirësitë pasi kemi burimet e pashtershme të energjisë që vijnë nga ju, nga brezi i ri”, tha ai. Didi shtoi se kjo ditë është me rëndësi edhe për ju të nderuar kandidatë, pasi ata që do të fitojnë testin do të fillojnë rrugën e gjatë për t`u bërë një punonjës policie. Konkurimi juaj bëhet kur organizata e policisë po i bëhet një reformë e thellë ku prioritet është arsimimi”.