Eliminimi i furgonave të linjës, kontrolli i rreptë i mjeteve me targa të huaja, si dhe forcimi i sistemit të kolaudimeve, janë disa nga masat e reflektuara në paketën ligjore për rritjen e sigurisë rrugore në vend. Gjatë prezantimit të kësaj pakete, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, së bashku me Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, tha se kjo paketë e re është paketa më e plotë sa i takon sigurisë rrugore dhe ka në brendësi të saj 60 masa administrative edhe operative. Në masat e marra, Tahiri bëri të ditur se fillimisht do të kemi një fushat ndërgjegjësimi për përdoruesit e rrugës. “Kjo fushatë, shtoi ai, do të filloi me të filluar kursi për leje qarkullimi, pasi drejtuesit e rinj duhet të dinë rëndësinë dhe rrezikshmërinë e drejtimit të një mjeti. Po ashtu, tha Tahiri, do të forcojmë kontrollet e mjeteve tek pikat e kolaudimit, pasi mjetet që do të qarkullojnë në Shqipëri, duhet të jenë mjete të sigurta për drejtuesin e saj dhe për këmbësorët”. Po ashtu, Ministri Tahiri bëri të ditur se na bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve është rënë dakord që, drejtuesit e mjeteve të mos lejohen të kryejnë kolaudimin e mjeteve pa pasur siguracionin e mjetit për vitin pas ardhës dhe pa shlyer gjobat e mbetura nga viti para ardhës. Një tjetër masë e marrë nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Transportit është marrëveshje për të kufizuar lëvizjet e pasagjerëve me furgona. “Në gjykimin tonë furgonat e linjave janë një nga burimet më të mëdha të aksidenteve, që shpesh herë kanë rezultuar fatal për jetën e qytetarëve. Në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit do të eliminojmë lëvizjet me furgon të pasagjerëve, duke e modernizuar atë me autobusë, si transport më të siguritë”, theksoi ai. Të gjithë drejtuesit e mjeteve që kapen pa leje drejtimi apo që vërtetohet që niveli i konsumit të alkoolit ka qenë më i madh se niveli i lejuar, automatikisht denohen me 10-të ditë heqje lirie. “Ky vendim vjen si pasojë e problemeve që po hasim me Gjykatat, tha Tahiri, të cilat, pasi policia arreston shtetasit, për mungesë leje drejtimi apo në gjendje të dehur, shpesh herë këto shtetas dalin pa u dënuar, ç’ka na detyron ta ndryshojmë nenin në fjalë, duke e bërë pjesë të veprave penale, pasi një mjet që drejtohet nga një i alkoolizuar apo pa leje drejtimi, është një armë që mund të vrasë”, theksoi Tahiri. Ai bëri të ditur gjithashtu se, Policia e qarkullimit rrugor ka arrestuar në 5 muajt e fundit, 660 shtetas, të cilët janë kapur në automjet në kushtet e përdorimit të alkoolit, ose e kanë drejtuar atë pa patur leje drejtimi. “Sipas statistikave të policisë, bëri të ditur Tahiri, 152 prej tyre janë ndaluar për përdorim alkooli dhe të tjerët ose nuk kanë patur patente, ose nuk i kanë qendruar patrullave të policisë, kjo e fundit për shkak se kanë patur njohuri për akisonin e nisur. “Por, shtoi ai, Prokuroria dhe gjykatat kanë kërkuar dhe kanë dhënë masen e arrestit me burg vetëm për 83 prej tyre. Duke u bazuar në statistika, gjatë katër muajve të fundit, organet e drejtësisë në 400 rastet e ndodhura arrestuan vetëm 17 prej tyre. Ndërsa në janar, nga 207 raste të ndaluara, 51 prej tyre, ose një e katërta e tyre u mbajtën në arrest. Por, kjo sërish na bën të mbetemi të pakënaqur me lirimin sidomos të personave problematikë në qarkullimin rrugor. Fakti, tha Tahiri, që vetëm numri i të ndaluarve për pije alkoolike është sa dyfishi i atyre, që u është dhënë masa me burg nga gjykata, na shtynë ne të marrim këtë masë, që do të çojë menjëherë në 10-të ditë hejqe lirie të drejtuesit të mjetit që kapet në shkelje si, pa leje drejtimi apo mbi nivelin e lejuar të konsumit të alkoolit”. Në paketën e re është parashikuar rritja e transparencës me qytetarët. Kemi shtrirë marrëveshje me postën, bankat e nivelit të dytë, duke i dhënë mundësi qytetarëve që pagesat e gjobave në banka të nivelit të dytë apo postë të reflektohet menjëherë, duke mos i bllokuar më qytetarët në rrugë të padrejtë”, tha Tahiri. Ai bëri të ditur se në bazë të paketës së re efektivët e qarkullimit rrugor do të fotografojnë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, ashtu si do të ketë kontroll rigoroz të autoveturave me targa të huaja, pasi gjykojmë se në vendin tonë ka shumë mjete që edhe pse i ka skaduar afati i mbajtjes së targave të huaja ata vijojnë prej vitesh dhe qarkullojnë në shkelje të ligjit. “Nëpërmjet kësaj pakete synojmë limitimin e aksidenteve ku përfshihen këmbësor, duke parë që vendi ynë ka numrin me të lartë në Europë për kësisoj aksidentesh, ndërsa në BE as nuk llogaritet ky lloj aksidenti, kuptohet që ky problem ka dy anë, këmbësorin dhe drejtuesin e mjetit.”nënvizoi Tahiri. Ministri i Brendshëm garantoi se përballja me aksidentet rrugore dhe me pasojat e tyre ka qenë, është dhe do të jetë prioritet i qeverisë, prandaj ne kemi nisur ta trajtojmë që në 100 ditët e para këtë problem, pasi besojmë se duke eliminuar këtë problematik rrisim sigurinë e qytetarëve dhe besimin e tyre tek policia e shtetit.

Advertisement