Tiranë | Svoboda: Mosdhënia e statusit nga problemet brenda BE-së

Bashkëpunim mazhorancë-opozitë për reformat e rëndësishme është promovimi më i mirë që klasa politike shqiptare mund t’i bëjë Shqipërisë në Evropë. Ky ishte apeli që kryetari i grupit socialdemokrat Hannes Svoboda i drejtoi klasës politike shqiptare, pas një takimi të hënën me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Ndërsa, për mosdhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, eurodeputeti tha se kjo lidhet me problemet brenda vendeve të BE-së dhe jo me punën e qeverisë shqiptare, muajt e fundit. Në deklaratën për shtyp, pas takimit në selinë e Kuvendit, kryeparlamentari Meta tha se e garantoi z. Svoboda për përpjekjet maksimale në funksionimin sa më demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës të Kuvendit, si dhe për një përpjekje të vazhdueshme për të forcuar bashkëpunimin me opozitën dhe për t’i krijuar asaj të gjitha hapësirat në përmbushjen e përgjegjësive. Ndërsa duke u ndalur tek çështja e statusit kandidat në BE, Svoboda pohoi se mosdhënia e statusit nuk ka të bëjë me punën që ka bërë qeveria këto muaj të fundit, por me problemet brenda vendeve europiane. “Disa njerëz flasin se statusi nuk ju dha Shqipërisë për shkak të punës së qeverisë, por mendoj se është shumë e rëndësishme të vazhdohet me reformat dhe arritjen e standardeve e kritereve të ligjeve europiane. Në një takim që pata dje me studentë shqiptarë doli i qartë mesazhi se ‘ne kemi nevojë për reforma për vendin tonë dhe jo për Evropën’. Ndaj jam i kënaqur që gjatë bisedimeve me Metën doli qartë që të ketë bisedime mes opozitës, maxhorancës dhe shoqërisë civile”, tha Svoboda. I pyetur nga gazetarët për forcat ekstremiste në BE, të cilat nuk lejuan marrjen e statusit të kandidatit për Shqipërinë, Svoboda u përgjigj: “mendoj se këto forca ekstreme kishin fuqinë për vendimin për Shqipërinë, sidomos në Hollandë. Por, edhe zgjedhjet patën ndikim në disa parti politike europiane. Dhe këto parti dhe këto forca ekstreme u forcuan kur u hap fjala që në Shqipëri nuk po funksiononte qeveria dhe demokracia. Ndaj dhe thirrja jonë është për opozitën, që kur hapin fjalë të tilla duhet ta dinë që kjo ndikon tek vend i tyre”. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve për reformën territoriale kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë e saj, e cila do t’i kursente vendit rreth 80 milion dollarë, për t’i vënë në interes të qytetarëve. Për këtë çështje, eurodeputeti Svoboda tha se Shqipëria është e vonuar në përmbushjen e kësaj reforme.

Advertisement