Gjatë mbledhjes së thirrur për akuzat e PS-së ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, ku mungoi Kreu i KLD-së, Presidenti Bamir Topi, nënkryetari i KLD-së Spahiu në cilësinë e drejtuesit të mbledhjes, deklaroi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka kompetencë mbi Kolegjin Zgjedhor dhe KQZ-në. “Zgjedhjet nuk administrohen nga drejtësia, por nga politika”, theksoi nënkryetari Spahiu, duke rikujtuar se trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor është zgjedhur me konsensus të plotë nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Spahiu tha se PS ka dhënë konsensus për të tetë anëtarët e Kolegjit duke argumentuar se janë PD dhe PS që u kanë dhënë gjyqtarëve imunitetin. Në këtë këndvështrim, nënkryetari i KLD-së apeloi që të mos bëhen presione politike mbi gjyqtarët, por nëse disponojnë fakte për akuzat t’i dorëzojnë ato në prokurori. “KLD kërkon që të mos adresohen akuza të pabazuara për gjyqtarët në publik, pasi dëmtohet personaliteti i tyre”, tha Spahiu. Nënkryetari i KLD-së bëri me dije se KLD ka për detyrë të mbrojë gjyqtarët, figurën dhe personalitetin e çdo gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës së tij kur ai ka dhënë një vendim të drejtë në respekt të ligjit. Këtu Spahiu kujtoi se “KLD ka treguar vullnet të plotë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve kur Prokuroria nis hetimin ndaj tyre”. Mbledhja e KLD-së u thirr nga Presidenti i Republikës Bamir Topi në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të shqetësimit të ngritur nga gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të akuzuar publikisht nga Partia Socialiste se janë blerë me nga 500 mijë euro për çdo vendim të dhënë në favor të kandidatit demokrat Lulzim Basha në betejën ligjore për postin e kryebashkiakut të Tiranës.


