Tiranë | Spahiu në Kushtetuese për të vlerësuar antikushtetutshmërinë e Komisionit të Ligjeve

alt

Nënkryetari i KLD-së theksoi se iu përgjigj pozitivisht kërkesës për t’u dëgjuar duke respektuar institucionin e Kuvendit, por nënvizoi se arroganca dhe sharjet e fyerjet ndaj tij janë një akt i paprecedentë në vend, dhe një dhunim i hapur ndaj pushtetit gjyqësor nga ana e atij Legjistlativ. “Një javë më parë pata lajmëruar dorëheqjen time, por në kushtet e këtij presioni unë nuk mund ta bëj, sepse kjo krijon një precedent të rëndë diktatorial, ku qeveria shtrin dorën dhe kërkon shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së. Kryetari i Komisionit të Ligjeve më mohoi të drejtën e fjalës dhe më preu fjalën duke më shantazhuar që të mos relatoja mbi këtë shkarkim dhe procedurat që nuk e lejojnë. Ata kanë frikë nga e vërteta dhe për këtë arsye i shmangen çdo debati dhe vetëm shajnë e denigrojnë”, deklaroi Spahiu, duke akuzuar mazhorancën se sillet me mjediset e Kuvendit sikur t’i ketë të hipotekuara nën pronësinë e saj dhe jo si vend ku e kanë shkuar me votën e sovranit popull. Nënkryetari i KLD-së nënvizoi se Kushtetuta e Shqipërisë nuk parashikon në asnjë nen të sajin shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së. Ai deklaroi se nuk do t’i përgjigjet më thirrjes së një komisioni antikushtetues, duke nënvizuar se Qeveria është në luftë me të gjitha institucionet. Në këtë suazë nënkryetari i KLD-së lajmëroi se ai do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të vlerësuar antikushtetutshmërinë e Komisionit antiligjor për shkarkimin e tij. Spahiu nënvizoi se ky komision është një tjetër përdhosje ndaj drejtësisë në një Kuvend ku votohet me tre apo me katër duar. “Qeveria është në luftë me të gjitha institucionet. Arma për të luftuar këtë është Gjykata Kushtuese. Sot po përballemi me një diktaturë moderne ku sistemi i frikës ka cënuar lirinë e qytetarëve, një sistem inkuizicioni”, tha nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu.

Advertisement