Në një konference për mediat, Spahiu theksoi se “KLD-ja si çdo institucion tjetër është i hapur që në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë t’i japë informacion çdo qytetari në bazë të ligjit. Dera e KLD-së është e hapur por ka një radhë në praktikën e institucioneve shqiptare”. Sipas Spahiut, KLD-ja i ka vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe grupit të inspektorëve të kontrollit të gjitha dosjet dhe dokumentet origjinale për një periudhë 3-vjeçare. Ndërkohë Spahiu komentoi edhe pretendimet e tjera të komisionit hetimor, që lidhen me udhëtimet e tij jashtë vendit, të konsideruara si në funksion të veprimtarisë së Aleancës Kuq e Zi. Sipas Spahiut, gjysma e udhëtimeve për të cilat flet komisioni janë bërë në qytetet shqiptare në Kosovë e Maqedoni, në të njëjtën mënyrë siç mund të kalonte një fundjavë në Korçë apo një drekë në Durrës. “Ftoj publikun dhe median të informojnë dhe publikojnë hyrje-daljet e çdo ministri dhe zyrtari të lartë të shtetit shqiptar, për të parë në referencë krahasuese hyrje-daljet e çdokujt dhe qëllimet e këtyre hyrje-daljeve. Aleanca është krijuar 10 muaj më parë, jo 3 vjet më parë. Gjysma e hyrje-daljeve është në Prizren, Tetovë, Ulqin, të cilat unë i konsideroj qytete shqiptare. Mendoj se qëllimet e hyrje-daljeve apo vizitave jashtë Shqipërisë, ndryshe nga çdo zyrtar, kanë qenë publike, madje duke ftuar mediat. Asnjë udhëtim nuk ka qënë në konfikt interesi me detyrën time.” përfundoi Spahiu.