Tiranë – Sot sesioni i ri parlamentar

Seanca e parë e tij pritet që të hapet nga deputeti Fatos Beja, i cilësuar si më i vjetri aktualisht i Kuvendit, pas mospranimit për ta bërë një gjë të tillë nga ana e kryeministrit Berisha. Ndërkaq, një risi e këtij Kuvendi pritet të jetë bojkotimi i tij nga ana e deputetëve të opozitës, të cilët e kanë paralajmëriar një gjë të tillë prej ditësh dhe duket se nuk kanë ndërmend t’i lëvizin këtij qëndrimi. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e kundërshtoi dje masën e bojkotit, duke u bërë apel deputetëve socialistë që të jenë të pranishëm në Kuvend, pasi ai ka nevojë për të gjithë, si për pozitën, ashtu edhe për opozitën. Në bazë të rregullores së Kuvendit, parlamenti ngre sot një komision për verifikimin e mandateve ndërsa ditën e enjte bëhet edhe betimi i deputetëve. Në Kuvendin e ri, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 qershorit do të jenë të pranishëm 140 deputetë, ku Partia Socialiste ka 66 të tillë, Partia Demokratike ka 67 deputetë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka 4, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut ka 1, Partia Republikane ka 1 dhe po 1, ka edhe partia e Çamëve.

Advertisement