Përveç padisë së adoleshentit Roxhers Durda, në Gjykatë është depozituar edhe një padi e dytë nga Alketa Hazizaj, të dy banorë të fshatit Gërdec. Më shumë se dy vjet pas ndodhjes së tragjedisë, Ish-Ministri i Mbrojtjes në kohën kur ndodhi shpërthimi, sot Ministër i Mjedisit, Mediu ka vendosur të paraqitet vetë në Gjykatë, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Mediu është paraqitur pranë Gjykatës së Lartë rreth orës 09:00, ku pritet të jetë i pranishëm para togave të zeza në seancën e sotme që është një seancë pajtimi. Ky është procesi i radhës ndaj Mediut, pas procesit të parë që u pushua cështja pasi Mediu u shpall deputet dhe mbrohej nga imuniteti. Trupi gjykues po drejtohet sot nga gjyqtarja Ariana Fullani dhe pritet që në seancë të dëgjohen palët, 12 vjecari Durda dhe ministri Mediu. Ministri aktual i Mjedisit, ishte i shoqëruar edhe nga dy avokatët e tij, Ardian Visha dhe Petrit Serjani. Kjo është seanca e parë për padinë e Durdës, ku mund të vendoset edhe për një pajtim midis palësh, por nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë Mediu pritet të përballet me seanca gjyqësore. Në bazë të Kodit Penal, të dy palët në gjyq mund të vendosin për rënien në ujdi, e nëse kjo do të ndodhë, palët do të mbyllin çështjen këtu.