Homazhe kreu sot dhe kryetari i opozites, Edi Rama. Në këtë ceremoni përkujtimore Kreu i Shtetit theksoi se 5 Maji është dita kur rifreskohet kujtimi i dëshmorëve të rënë dhe vepra e tyre e paharrueshme. “Kjo ditë e shënuar vjen si çdo vit tjetër me një simbolikë të veçantë. Sot është dita kur ne rifreksojmë kujtimin e të rënëve për kombin, dhe natyrisht që vepra e tyre është e paharrueshme. Sot ne kujtojmë patriotët, të cilët dhanë jetën e tyre për pavarësinë e Shqipërisë”, u shpreh Kreu i Shtetit në një prononcim për mediat. Sipas tij “sot përkujtohen me përulje të thellë të gjithë dëshmorët e atdheut që luftuan dhe derdhën gjak për çlirimin e Shqipërisë, që kontribuan dhe sakrifikuan jetën e tyre për forcimin e shtetit ligjor”. Kreu i Shtetit vlerësoi se “gjithçka që Shqipëria po arrin sot, ka në themel veprën dhe gjakun e dëshmorëve të atdheut”. Kryeministri Berisha në fjalën e tij theksoi vecantinë që e karakterizon këtë ditë dhe sakrificat që u bënë në emër të lirisë. Por si shtoi Kryeministri “sot duhet të qëndrojmë ballëlart kur nderojmë të rënët. Ballëlartë tani që jemi dhe anëtarë të NATO-s”. Me rastin e kësaj dite, homazhe tek varrezat “Dëshmorët e Kombit” bëri dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Në prononcimin për mediat, Rama kërkoi që kujtimi i të rënëve të jetë dritë për të ardhmen e të gjithëve. “Ti clirojmë njerëzit nga barra e politikës. Kujtimi i të rënëve ndricoftë rrugën tonë”, u shpreh Rama duke shtuar se politika e së shkuarës po mban ende të përcarë vendin tonë. Ndërkaq, bëhet e ditur se gjatë ditës së sotme kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë edhe në familjen e Azem Hajdarit, si dhe do të vendosë lule në monumentin e deputetit të vrarë të Partisë Demokratike. Por në axhendën e tij të sotme është parashikuar dhe një vizitë në familjen e heronjve Buzi. Dita e 5 Majit, njihet nga të gjithë, si dita e Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, vendosur si ditë e shënuar për kombin, nga pushteti komunist, në nderim të 28 mijë dëshmorëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Ndërkaq, bëhet e ditur se pavarësisht kësaj dite, kryeministri nuk do ta ndalë turin e tij elektoral. Në ora 12.00 inauguron fillimin e punimeve në rrugën e Porto- Romanos, Spitallë.