Një akt i tillë u parapri nga takimi i djeshëm i partive opozitare, i kryesuar nga Partia Socialiste për të vendosur mbi nismat konkrete parandaluese që duhet të ndërmarrin për marrëveshjen e kufijve detarë të firmosur nga qeveria shqiptare dhe ajo greke, ku përmes saj, sipas opozitës, Greqia përfiton nga vendi ynë, kilometra të tëra në detin Jon. Ka qenë kreu i PS, Edi Rama, i cili deklaroi se drafti për të ankimuar marrëveshjen me Greqinë u firmos dhe do të dorëzohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë me urgjencë, duke i vënë Parlamentit në dijeni faktin, se edhe sikur të gjithë deputetët të jenë dakord unanimisht, ndëshkohen penalisht në rast se kjo provohet. Ndërkaq, mësohet se parlamenti e ka shtyrë miratimin e marrëveshjes nga punimet e kalendarit 3-javor, duke mos dhënë një afat të saktë se kur ajo mund të gjejë miratim.