Tirane – Skandali i ish-ministrit Pango, zhvillohen debate ne Kuvend, kerkohet hetim nga Prokuroria

Kuvendi ka reaguar e po debaton gjate seances se sotme ndaj gjestit te ish-ministrit Ylli Pango.
Sipas Kryetares se Kuvendit Jozefina Topalli ish ministri Pango duhet të lëshojë mandatin pasi ka cënuar moralin e Partisë Demokratike. Pasi ka replikuar me deputeten socialiste Valentina Leskaj, Topalli i tha se qëndrimi i PS është shumë i butë krahasuar me atë që ka bërë Pango. “Jam e tronditur nga mënyra me të cilën flet deputetja. Është e turpshme, e papranueshme. Pango ka tradhtuar moralin e PD-së ka tradhëtuar qytetarët që e kanë votuar. Ndaj është pak të thuash që ti hiqet imuniteti, Pango duhet ta lëshojë urgjent mandatin si deputet pasi nuk është i denjë të gëzojë me atë”, tha Topalli. Më pas Topalli shtoi se “si kryetare e parlamentit i kërkoj të lëshojë mandatin ndërsa si nënë jam e tmerruar dhe e frikësuar se kemi fëmijë dhe që nuk mund të imagjinoj sesa e sigurt duhet të jem”. Sipas kryetares së parlamentit është për tu përshendetuar fakti që kryeministri Berisha e shkarkoi për 4 minuta, Ministrin. “Kjo po që është arritje dhe standart”, tha Topalli. Leskaj ka vazhduar replikën ndaj kryetares Topalli duke kërkuar që “turpet e qeverisë të mos i faturohen opozitës. Sepse ju e dinit se i cfarë kallëpi ishte Pango dhe e mbajtët në gjirin tuaj kaq kohë si Ministër. Ndaj nuk ju shkojnë këto deklarata tani”, iu drejtua Leskaj Topallit. Valentina Leskaj, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, kërkoi që Kuvendi të mbajë qëndrim ndaj deputetit Ylli Pango duke e cilesuar gjestin e tij një “shkelje të rëndë morali dhe etike”.   
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi u shpreh se qeveria e tregoi moralin e saj dhe standardin, përmes reagimit dhe reflektimit të menjëhershëm. Ai akuzoi opoziten ne parlament se po shfrytëzon ngjarjen me ish ministrin Pango për të përfituar. Patozi akuzoi opozitën si bashkëudhetare të skandaleve të ngjashme, edhe me përmasa më të rënda. “Ju keni kryetarin që qarkullon prej vitesh i zhveshur, por askush s’ka folur për historitë e tij të perversitetit. Ju keni heshtur, sepse bashkëjetoni me skandalin”, deklaroi Patozi.
Erion Brace, nënkryetari i grupit socialist e ka komentuar shkarkimin me telefon që kryeministri Berisha i bëri mbrëmë Ylli Pangos si “mendim diabolik” i tij. “Nuk mjafton shkarkimi virtual. Ajo që ka ndodhur është diabolike. E hoqi nga qeveria, por turpi ka ngelur në këtë sallë. Është turp që ministri Pango të hyjë në Parlament. Unë nuk mund të ndaj të njëjtën sallë me deputetin Pango”- deklaroi Erion Brace. Më tej ai i bëri thirrje parlamentit të heqë menjëherë imunitetin e deputetit dhe i bëri thirrje prokurorisë të nisë hetim kryesisht ndaj ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango. Videoja ka vene në dyshim rekrutimin e punonjësve të administratës shtetërore. Nderkohe Prokuroria e Përgjithshme deklaron se do të tërheqë kasetën filmike të videos se ish-ministrit Pango dhe se “Pas verifikimit të autenticitetit të videos, do vendosim për Pangon”
Kamera është realizuar në muajin shkurt të këtij viti dhe videoja skandal u publikua të mërkurën në mbrëmje në emisionin investigativ “Fisk Fare” në Top Channel. Në transkriptet e plota të bisedave të zhvilluara mes Pangos e vajzës së re, fillimisht në telefon, mandej në zyrën e tij e më pas në ambientet e shtëpisë së ish-ministrit, lexohet qartë presioni psikologjik që Pango ushtron ndaj saj për ta joshur seksualisht, duke i premtuar një vend të mirë pune e një rrogë të majme në Ministrinë e Kulturës. Ylli Pango ka hyrë kështu në historinë e shtetit shqiptar, si i parë zyrtar i lartë i vendit që përfshihet në një skandal seksual. Kryeministri Sali Berisha shkarkoi me urgjencë ministrin e Kulturës. Sipas burimeve ish-ministri Pango ka ngulmuar shumë të argumentojë tek Berisha se gjithçka ka qenë montim nga media dhe nga segmente politike të opozitës. Por ky nuk ka qenë argument. Kryeministri pritet të hartojë shpejt dekretin e shkarkimit. Burime nga Presidenca, bëjnë të ditur se edhe presidenti Bamir Topi, do të firmosë menjëherë këtë dekret, sapo ai të mbërrijë nga kryeministri Sali Berisha.
Advertisement