Tiranë | Sistem i ri për kontrollin e trafikut

alt

Projekti “Qendra e Kontrollit të Trafikut Urban”, që nis në qershor, do t’i japë Tiranës një sistem me vlera të njëjta teknike me qytete të tjera të Evropës, si Roma apo Vjena. Menaxhimi në kohë reale, përmirësimi i fluksit të trafikut, përmirësimi i sigurisë, dhënia e përparësisë transportit publik, do të jenë disa nga përfitimet prej këtij projekti. Kreu i Bashkisë Basha sqaroi se projekti parashikon ndërtimin e një Qendre Operacionale të Kontrollit në Tiranë, e cila do të mundësojë jo vetëm drejtimin e të gjitha pikave të kontrollit të trafikut nga një qendër e vetme, por edhe monitorimin 24 orë, çka do i shërbejë edhe përmirësimit të sigurisë rrugore brenda qytetit të Tiranës. Po kështu, parashikohet paisja me tru të ri elektronik e 51 nyjeve të trafikut në qytetin e Tiranës, të cilat do të kontrollohen nga Qendra Operacionale. Nëntë nyje të reja do të ndërtohen nga fillimi, sikundër do të vendosen edhe semaforët e rinj. Gjashtë pajisje elektronike të përditësuara do të njoftojnë drejtuesit e automjeteve, mbi kushtet aktuale të trafikut si dhe informacione të tjera të rëndësishme, në lëvizjen brenda qytetit të Tiranës, në hyrje të qytetit të Tiranës dhe në dalje të qytetit të Tiranës. Projekti parashikon vendosjen e 23 kamerave, të cilat do të përcjellin informacion në kohë reale në Qendrën Operacionale.