Tiranë | Shuhet aktori i humorit Skënder Sallaku

Një prej ikonave të humorit shqiptar, “Artisti i Popullit” Skënder Sallaku ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 79-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Skënder Sallaku kishte një karrierë artistike gjashtëdhjetëvjeçare në skenë. Përveç çmimit “Artist i Popullit”, ai mbante edhe titullin ”Artist i Merituar”, “Mirënjohja e qytetit”, etj. I lindur me 25 janar të vitit 1935 në Tiranë. Ai ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës fizike ”Vojo Kushi” dhe ka kryer dy vjet specializim në akrobaci dhe humor në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Fillimisht filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në Cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur. Ai ka vazhduar paralelisht edhe në film, humor, dramë, etj. Gjatë karrierrës së tij numëron shume role në estradë dhe cirk si dhe u shfaq edhe si autor skeçesh e parodish. Gjithashtu Sallaku, njihej dhe si ish-kampion kombëtar në mundjen klasike.

Advertisement