Tiranë | Shtyhet votimi i raportit në Komisionin Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit

Komisioni Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit është përfshirë nga diskutime të shumta dhe nuk ka arritur të votojë raportin përfundimtar të punës tremujore. Kreu i Komisionit, Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, duke folur në emër të anëtarëve demokrat në komision, prezantoi gjetjet e realizuara gjatë punës së komisionit. Sipas Ristanit, Komisioni ka arritur të faktojë shkeljet ligjore që opozita dyshonte. “Gjatë punës së tij, komisioni ka arritur të faktojë se Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri kanë shkelur ligjin me emërimin në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Artan Didi, pasi ai nuk plotëson kriteteret e kërkuara për t’u emëruar në atë pozicion dhe përpos kësaj i kërkojmë prokurorisë që në bazë të gjetjeve të realizuara nga ky komision të hetohet edhe aksioni i policisë së vitit 1999, ku ky shtetas ka qenë i përfshirë. Emërimet e Drejtorëve në Policinë e qarqeve kanë qenë të kundraligjshme, pasi edhe disa prej tyre kanë qenë të përjashtuar nga policia dhe ripranimi i tyre është bërë në rrugë joligjore”, tha Ristani. Po ashtu, kreu i Komisionit Hetimor kërkoi rikthimin në detyrë të larguarve të cilët, sipas Ristanit, janë shumë më të kualifikuar dhe të përgatitur se të emëruarit e rinj nga kupola e re. Ai kërkoi lirimin nga detyra të zv/drejtorit të policisë Altin Qata dhe rikthimi në detyrë i Muhamet Rrumbullakut. Sipas Ristanit, në raportin voluminoz me 250 faqe u pyetën shumë dëshmitarë dhe u provuan faktet e mësipërme. Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Nënkryetari i komisionit, Taulant Balla, tha se raporti është qesharak, ndërsa parashtroi dhe qëndrimet e mazhorancës lidhur me gjetjet gjatë punës së Komisionit.

Advertisement