Gjykata Kushtetuese vendosi që të merrte parasysh edhe kërkesën e deputetëve, për të dhënë mendimin e tyre. Ndërkohë, Gjykata rrëzoi pretendimin e përfaqësuesve të Kuvëndit për konflikt interesi të trupit gjykues lidhur me cështjen e Ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve. Gjykata konsideron se nuk ka konflikt interesi për këtë ligj, duke e konsideruar abstrakte kërkesën sipas të cilit anëtarët e kësaj gjykate kanë konflikt interesi me ligjin në fjalë. Kërkesa e Kuvëndit ka hasur në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit që kanë quajtur të pabazë kërkesën e parlamentit. Përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë këto dy institucione i qëndrojnë idesë se gjykata është garanti i Kushtetutës. Ligji i shumëdiskutuar i dosjeve ka bërë që Gjykatës ti dërgohen tri kërkesa, respektivisht nga Partia Socialiste, Shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit që kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji. Në padinë e datës 30 janar 2009, që përkonte edhe me ditën kur i ashtuquajturi ligji i ‘dosjeve’ hyri zyrtarisht në fuqi, PS i referohet neneve që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, të drejtën e punës, për të mbrojtur nderin njerëzor, pafajësisë së prezumuar, për të mos u ndëshkuar dy herë për një veprim dhe të drejtën për t’u zgjedhur. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e prokurorëve kanë renditur 6 pika si argumentet kryesore me të cilat ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas prokurorëve, ligji në fjalë bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë dhe me ligjin organik të Prokurorisë, i cili është miratuar me shumicë të cilësuar votash, plot 84 të tilla, pra me më shumë mbështetje parlamentare sesa ligji i dosjeve që u miratua me shumicë të thjeshtë. Kurse sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ligji i lustracionit “bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe me disa ligje në fuqi”. Kërkesa e 28 deputetëve të kuvëndit konsiston në shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën, ligjin për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve. Në këtë kërkesë, deputetët e kuvëndit kërkojne pezullimin e zbatimit të këtij ligji. Aktualisht ligji, edhe pse i miratuar nuk mund të zbatohet për shkak të një vendimi të mëparshëm të kësaj gjykate për ta pezulluar atë.