Tiranë – Shtyhet sërish seanca ndaj Fatmir Mediut

Në seancën që zgjati vetëm 7 minuta, Kolegji Penal vendosi shtyrjen e seancës pasi avokatët deklaruan se ishin bllokuar në rrugën Durrës-Kukës, e për këtë arsye nuk mund të marrin pjesë në seancë. Prokurorët e cilësuan këtë arsye si justifikim të kotë, pasi sipas njoftimit të ministrisë së Transporteve, tuneli mbyllet në orën 11.00, kështu që ata mund të mbërrinin në seancë. Sot duhej të niste shqyrtimi i dosjes së vecuar të ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu i cili akuzohet për shpërdorim detyre, gjë që sipas prokurorisë solli dhe tragjedinë e Gërdecit. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjen/lejtnant Luan Hoxha dhe ish-vartësit e tij, do të gjykohen në një proces të ndarë nga biznesmeni Mihal Delijorgji, nga ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari dhe të pandehurit e tjerë. Prokuroria vuri nën akuzë 30 persona për ngjarjen e rëndë të Gërdecit, ku lista kryesohej nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, disa ish-ushtarakë të lartë, administratori i “Alba Demil”, Mihal Delijorgji dhe ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari. Gjykata e Lartë e ndau në tri pjesë dosjen e shumëpërfolur, duke mbajtur për gjykim vetëm ish-ministrin Mediu, ndërsa dosjen për 29 të pandehurit e tjerë ia dërgoi për kompetencë gjykatës së Tiranës.