Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu miratimin e buxhetit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, me qëllim rishikimin e disa zërave në strukturën e shpenzimeve për procesin e ardhshëm zgjedhor. Anëtarët e Komisionit i kërkuan administratës zgjedhore sistemimin e të dhënave në pr/buxhetin për zgjedhjet e reja, i cili është hartuar në bazë të strukturës buxhetore të zgjedhjeve parardhëse. Kryetarja e KQZ-së Lefterije Lleshi kërkoi që në këtë buxhet të përfshihet dhe kostoja e fushatës së edukimit zgjedhor, si dhe disa zëra të paparashikuara. Fatura financiare paraprake e përllogaritur nga administrata zgjedhore për zgjedhjet 2013 parashikon në total një shumë prej rreth 727. 254. 886 milion lekë. Tabela shoqëruese e pr/vendimit të paraqitur sot në KQZ detajon të gjithë zërat e shpenzimeve të nevojshme për zgjedhjet e reja, ku zëri më i kushtueshëm është ai për shpërblimin e anëtarëve të komisioneve zonale, KQV-ve dhe anëtarëve të grupeve të numërimit, të cilët janë parashikuar të marrin në total mbi 218 milion lekë. Ndërkohë, që për procesin e transmetimit të numërimit të votave do të duhen 118 milionë lekë.