Në takimin e 7-të Komitetit Drejtues të PACA-s, të organizuar sot në Tiranë, pranë Ministrisë së Inovacionit, Ministri për Inovacionin dhe TIK Genc Pollo tha ndër të tjera në një deklaratë për mediat se “jemi këtu bashkë me ambasadorin Sequi për projektin PACA, që zgjatet dhe do të punojë më tej me qeverinë shqiptare dhe institucionet e saj. Ky projekt theksoi Pollo, “është një projekt, i cili përqendrohet në luftën kundër korrupsionit dhe siç e dini lufta kundër korrupsionit nuk arrihet vetëm me gjeste dhe ngjarje dramatike, por është një luftë e përditshme, me punë konkrete, me hapje kapilare, me reformim të institucioneve dhe të procedurave të tyre, që ky projekt tashmë ka realizuar. Është një projekt i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, që gjej rastin për t’i falenderuar. Kjo është një luftë që ndoshta nuk njeh një fitore finale, por njeh një avancim konkret e të matshëm dhe besoj që diçka të rëndësishme kemi arritur, dhe në vazhdimin e projektit do të avancojmë edhe më tej, duke përmbushur rekomandimin Nr. 8, të Komisionit Evropian, Luftën kundër Korrupsionit, një nga detyrat tona të shtëpisë, që ne po i realizojmë”, përfundoiu ai Ndërsa Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Ambasadori Ettore Sequi u shpreh: “Siç e tha edhe ministri Pollo, lufta ndaj korrupsionit është një aspekt shumë i rëndësishëm për qeveritë. Progresraporti i vitit të kaluar për Shqipërinë theksoi se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por është e nevojshme të adresohen çështje si p.sh: çështja e heqjes së imuniteteve, që nuk duhet të kthehet në një çështje të mos ndëshkueshmërisë. Ky projekt i financuar nga BE-ja me 2.1 milionë Euro, shtyhet për 10 muaj dhe e rëndësishme është që të mbahet fokusi mbi nevojën e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit.” Komiteti Drejtues i PACA-s bashkëdrejtohet nga Ministri Pollo dhe Ambasadori Sequi. Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri është një projekt i përbashkët asistence teknike i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës i nisur që nga 1 shtatori 2009 për një periudhë 30 mujore. Projekti zbatohet nga Këshilli i Evropës dhe financohet nga Bashkimi Evropian (94%) dhe nga Këshilli i Evropës (6%). Objektivi i përgjithshëm i PACA-s është që të kontribuojë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës nëpërmjet parandalimit dhe kontrollit të korrupsionit. Objektivat specifike të projektit janë që, të përmirësohet zbatimi i strategjive dhe politikave kundër korrupsionit të qeverisë shqiptare (Strategjia dhe Plan Veprimi Anti-korrupsion 2007-2013) në harmoni me rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL-it dhe me angazhimet e Partneritetit Evropian, si dhe të kontribuohet për parandalimin e korrupsionit në sektorin e arsimit duke përmirësuar transparencën, llogaridhënie dhe pjesëmarrjen sociale në sistemin arsimor.