Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, së bashku me ministrat Eglantina Gjermeni, Milena Harito, Klajda Gjosha, Erion Veliaj, Edmond Haxhinasto dhe Nasip Naço, dorëzuan sot mandatin e Deputetit. Lajmi bëhet i ditur nga ministri Celibashi në faqen e tij sociale Facebook ku shkruan “përmbushim një zotim politik për shmangien e funksioneve të dyfishta dhe përqendrohemi në rolet tona ekzekutive”. “I siguroj qytetarët dhe votuesit e Fierit se angazhimi im për ta është një proces afatgjatë në të cilin jam plotësisht i përfshirë në drejtim të mbajtjes së premtimeve elektorale dhe përmirësimit të jetesës së tyre. Kontributit tim për Fierin, tani i shtohen edhe kolegët Adelina Rista dhe Anduel Xhindi, të cilëve i uroj suksese si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë”, shprehet Celibashi. Pas dorëzimit të mandatit të deputetit nga ministrat ata do të zëvendësohen nga emra të tjerë që janë në listën shumëemërore të zgjedhjeve parlamentare të 2013. Mandatin e deputetit pas Celibashit pritet ta marrë Anduel Xhindi, të Erjon Veliaj do ta marrë Vladimir Kosta , të Haritos pritet ta marrë Enkelejda Shkreli Shamku, të Gjermenit pritet ta marrë Adelina Rista, të ministrit Haxhinasto mund ta marrë Miranda Rira, të Klajda Gjoshës Kejdi Mehmetaj dhe të Nasip Naços pritet ta marrë Selfo Kapllani.