Tiranë – Shqyrtohet projektbuxheti 2010, do të rriten pagat e gjyqtarëve

Sipas Berishës, buxheti i vitit 2010 do të jetë vazhdimi i përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar stabilitetin makroekonomik dhe se do të shërbejë për realizimin e projektit madhor që kjo qeveri do të realizojë në këtë mandate të dytë me agresivitet edhe më të lartë: për një Shqipëri tjetër. “Ne nuk rrisim deficitin buxhetor, ndonëse kjo ndodhi me radhë në pothuajse të gjitha ekonomitë. Ne nuk rrisim borxhin, ndonëse efekti Euro ka sjellë rritjen e tij me mbi 1% në raport me Prodhimin e Brendshëm. Ne do të bëjmë çdo gjë që të ecim drejt parametrave më të mirë makroekonomikë gjatë vitit 2010-të. Duke ruajtur dhe konsoliduar një nivel shumë të lartë investimesh, janë projekte të mëdha të cilat shqiptarët mezi presin t’i shohin të zbatuar. Janë rruga e Arbrit, ëndrra e qytetarëve të Elbasanit për t’u lidhur me tunel me qytetin e Tiranës, Boshti i Jugut dhe një seri projektesh të mëdha. Në një mandat katër vjeçar ne do të asfaltojmë 7 mijë kilometra rrugë; autostrada, rrugë kombëtare, rrugë rurale, rrugë dytësore në fshatra dhe qytete. Projekti ynë për një Shqipëri tjetër do të vazhdojë me agresivitetin më të lartë” tha Berisha. Berisha deklaroi se këtë vit do të bëhen përpjekje për të rritur pagat e gjyqtarëve. “Rritja e rrogave të gjyqtarëve në Gjykatat e Faktit dhe në Gjykatat e Apelit është e rregulluar me ligjin e organizimit të sistemit të drejtësisë. Ky është një rregullim strikt ligjor, i cili është marrë nga standardet ndërkombëtare ku rroga e një gjyqtari të Gjykatës së Lartë barazohet me rrogën e një ministri, ku rroga e një gjyqtari të Gjykatës së Apelit vjen si 70% e kësaj rroge dhe rroga e një gjyqtari të Gjykatës së Faktit vjen si 50% e kësaj rroge, plus rritjen 2% në vit pas një periudhë vjetërsie. Pra, si sistem është i mirë, por si nivel pagat e gjyqtarëve të Gjykatave të Faktit janë të ulëta” tha më tej kryeministri. “Ndaj, ne nuk marrim dot përsipër të ndryshojmë ligjin deri sa opozita të hyjë Parlament për të bërë 84 vota, por qeveria do të gjejë mënyra të tjera, nëpërmjet bonuseve të caktuara, që gjyqtarëve të faktit t’u rrisim rrogat dhe ata të marrin, jo 50% të rrogës së një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, por të marrin 60% të rrogës së një gjyqtari të Gjykatës së Lartë. Kërkesat tona ndaj drejtësisë dhe kërkesat e qytetarëve për funksionimin e saj në përputhje me ligjin janë shumë të domosdoshme, por edhe trajtimi i gjykatësve është jashtëzakonisht i domosdoshëm. Nuk është rasti i kësaj mbledhje, por në tërësi duhet të ndërmerren ndoshta edhe disa nisma ligjore, sepse pushteti i drejtësisë vuan nga disa mungesa në fushën e investimeve. Ky problem duhet zgjidhur. Nuk mund të kërkohet nga Gjykata që të jetë edhe investitor. Duhet të gjejmë mënyrë sesi t’i ofrohen të gjitha këto dhe të ecim me shpejtësi drejt përmirësimeve të ndjeshëm në kushtet e punës së tyre” deklaroi më tej kryeministri.

Advertisement