Tiranë | Shqipëria rekomandohet për statusin e kandidatit, vlerësohet progresi

Fyle deklaroi se Komisioni rekomandon që Këshilli duhet t’i ofrojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, në varësi të plotësimit të masave kyçe në fushat e reformave të gjyqësorit dhe administratës publike dhe rishikimit të rregullores së parlamentit. Komisioneri Fyle, teksa prezantoi para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian raport-progresin për Shqipërinë, theksoi se Shqipëria ka bërë progres domethënës. Sipas tij, është bërë progres në disa reforma subsenciale, por kërkohen ende marrëveshje të mëdha politike. “Shqipëria ka bërë progres domethënës, por duhet të arrihen marrëveshje edhe më të mëdha politike. Është arritur sukses për disa reforma substanciale. Duke pasur parasysh këto Komisioni Europian rekomandon që Këshilli t`i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat me kusht që të ketë të tjera reforma në sistemin gjyqësor, por edhe në reformat parlamentare”, tha Fyle. Sipas tij, Komisioni beson se një pjesë e mirë e prioriteteve është zbatuar nga Shqipëria, por duhen ende përpjekje nga vendi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Fyle theksoi se “progres është arritur. Në këtë raport duhet theksuar që Shqipëria duhet të vijojë përpjeket në luftën kundër krimit të organizuar dhe korruspsonit në mënyrë që të vijojnë negociatat”. “Shqipëria duhet të tregojë kujdes në përmbushjen e disa prioriteteve kyçe. Fokusi duhet të jetë tek shteti i së drejtës dhe dialogu politik, që mbetet thelbësor për ecurinë e vendit”, tha Fyle i cili shtoi se “zgjedhejt e 2013-ës do të jenë një test kyç për vendin”. Në raportin e tij, Fyle nënvizoi se “Komisioni do të marrë gjithashtu parasysh angazhimin e shfaqur nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndëshkimet e këtyre rasteve”. Sipas Komisionerit Fyle, “progresi i bërë nga disa vende në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm dhe BE mbetet e hapur për këto vende”. “Kriteret e përdorura kanë qenë fillimisht ecuria e refomave politike dhe implementimit të reformave në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar. Një pikë tjetër është dhe liria e shprehjes. Gjithashtu kemi vënë theksin tek bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht një fqinjësi e mirë mes këtyre vendeve ka rëndësi që këto vende të respektojnë bashkëpunimin. Së treti, janë sfidat ekonomike për qëndrueshmërinë e financave”, tha Fyle.  

Advertisement