Tiranë | Shqipëria njehson Kodin Doganor me Kodin Doganor të BE-së

Kryeminsitri Edi Rama, e cilësoi Kodin e Ri Doganor, si qasjen e re të shtetit ndaj sipërmarrjes dhe hap të shumëpritur nga eksportuesit dhe importuesit. Duke folur në ceremoninë që u zhvillua në Doganën e qytetit të Durrësit, ku u bë prezantimi i rregullatorit të ri të sistemit doganor, Rama tha se “falë këtij Kodi, do kalohet nga një epokë ku biznesi është parë si burim të ardhurash të nxjerra me doemos, me hir e pa hir, në një epokë ku biznesi do trajtohet si partner strategjik”. Sipas Ramës “ky dokument vjen si produkt i njëhsimit të Kodit të Ri të Bashkimit Europian me Kodin Doganor të Shqipërisë, çka do të sjellë një tansformim rrënjësor, por që kërkon një sërë masash dhe politikash të reja në mënyrë që të bëhet e mundur që nga 1 Janari i vitit të adhshëm, marrëdhënia e doganave me biznesin, të funskionojë mbi këtë kod”. Rama bëri të ditur se ajo pjesë e administratës, marrëdhënia e së cilës është e lidhur me sipërmarrjen, do t’i nënshtrohet trajnimit dhe shkollimit. “Ne kemi ndërtuar një projekt dhe në muajt Prill, Maj e Qershor, e gjithë trupa e doganierëve dhe tatimorëve dhe e inspektorëve të Agjencisë Komb të Ushqimit dhe çdo trupe tjetër që lidhet direkt apo indirekt me eksportuesit dhe importuesit, do të shkojnë në shkollë nate, ndërkohë që do të punojnë ditën”, deklaroi ai. Kreu i Qeverisë i vlerësoi doganat dhe tatimet si krahët me të cilët shteti u shërben njerëzve dhe biznesit. “Shteti, duke qenë shërbëtor i sipërmarrjes, mundëson rritjen e të ardhurave falë cilësisë së shërbimit, rritjes së besimit dhe respektit të sipërmarrjes tek shteti dhe jo falë kërbaçit të gjobave, bllokimeve e korrupsionit”, tha Rama gjatë fjalës së tij në prezantimin e Kodit të Ri Doganor në Durrës.

Advertisement