Ajo do të paraqitet nga kryeministri Berisha në Pragë, kryeqytetin e presidecës evropiane të radhës, para kryeministrit çek, Mirek Topolanek, i cili e mban ende këtë post, deri në datën 8 maj. Sipas kryeministrit Berisha, janë reformat e realizuara me sukses të qeverisë që ai drejton, të cilat bënë të mundur që në një hark kohor të shkurtër Shqipëria të ftohet për të paraqitur kërkesën për statusin e kandidatit. Ky vendim vjen si një bashkërendim me vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat mbështesin këtë akt dhe këtë vendim, vjen si një bashkërendim me Komisionin Europian. Pra, sipas pretendimeve të mazhorancës, vendimi për të paraqitur sot në Pragë, kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit, është një vendim gjerësisht i konsultuar. “Ky vendim yni nuk vjen si një vendim i njëanshëm, por vjen si një vendim plotësisht i bashkërenduar me vendin që ka kryesinë e radhës së BE-së, vjen si një bashkëpunim me vendet anëtare te BE të cilat mbështesin këtë akt dhe këtë vendim, vjen si një bashkërendim me Komisionin Europian,” – tha kryeministri shqiptar. Por duket se nuk është aspak e një mendimi të tillë opozita shqiptare, e cila e ka cilësuar një vendim të tillë shumë të nxituar dhe të bërë në kuadrin e fushatës elektorale prej mazhorancës së djathtë. Ndërkohë Kryeministri Berisha falenderoi me këtë rast opozitën shqiptare për kontributin që ajo ka dhënë, duke siguruar se kjo kërkesë nuk është një akt elektoral.