Në deklaratën për mediat thuhet se me këtë shpërblim, shoqatat ndihmojnë forcat e rendit me qëllim që ky person i shpallur në kërkim nga policia të vihet sa më parë para drejtësisë. “Në një kohë kur Rezart Taçi, përmes zëdhënësit të tij shpërndan deklarata false, duke mohuar paturpësisht dhunimin e gazetarit Mero Baze nga ai vetë dhe truprojat e tij e ndërkohë që i shpalluri në kërkim, Rezart Taçi dërgon komunikata për median, prokuroria ende nuk ka marrë në pyetje zëdhënësin e tij për të mësuar vendin ku ndodhet biznesmeni i akuzuar”, thuhet në deklaratën e gazetarëve. “Duke qenë se ujditë midis familjes në pushtet dhe biznesmenit që goditi gazetarinë janë të ditura publikisht, ne e konsiderojmë kryeministrin Berisha si njeriun përgjegjës për klimën e mbrapshtë të frikës që po krijohet ndaj mediave dhe shoqërisë duke nxitur në heshtje dhunën ndaj gazetarëve”, thuhet në deklaratë. “Kjo klimë, mbyllje goje, frikë dhune dhe censure mediatike, janë shenjat e pagabueshme të një totalitarizmi të llojit mafioz. Ky skandal i përsëritur i armikut të vjetër të fjalës së lirë, zjarrvënësit të gazetave, Sali Berisha kërkon reagimin energjik të të gjithë qytetarëve. Ky është sistemi ku mediat dhe njerëzit e saj ose blihen ose rrihen, ky është sistemi që kërkon t’i mbajë shqiptarët në verbëri dhe të shurdhuar. Ajo që po përjetojmë është Shqipëria që po ndryshon për keq nën zgjedhjen e familjes së Sali Berishës”, përfundon deklarata e shoqatave të gazetarëve të Shqipërisë.