Tiranë – Shoqata për Autonomi Vendore akuzon kryeministrin për sulme ndaj tyre

“E realizuar nën trysninë e arbitraritetit të mazhorancës, kjo reformë nuk ndalet as para shkeljes së Kushtetutës, kur është fjala për të ndërmarrë akte që paralizojnë punën e bashkive dhe komunave të drejtuara nga opozita”, citon deklarata në fjalë. Duke vijuar më tej se i bën thirrje qeverisë Berisha që t’i lexojë me vëmendje raportet e organizmave ndërkombëtarë, por, mbi të gjitha, t’i vërë veshin shqetësimeve të qytetarëve, të atyre që e kanë votuar dhe të atyre që nuk e kanë votuar, dhe t’i japë fund sulmeve të paligjshme dhe tinzare ndaj qeverive vendore dhe shërbimeve për qytetarët që jetojnë në njësitë që ato administrojnë. “Në kuadër të përpjekjeve për ta ndalur këtë revansh të qeverisë Berisha, Shoqata për Autonomi Vendore i ka kërkuar, po ashtu, Këshillit të Europës që t’i monitorojë nga afër problemet lidhur me kufizimin e autonomisë vendore në Shqipëri”, vë në dukje kjo deklaratë. Duke shtuar në fund se sulmet e përshkallëzuara të qeverisë Berisha ndaj autonomisë vendore po tërheqin vëmendjen edhe të organizmave me autoritet ndërkombëtarë, të cilët monitorojnë përparimin e demokracisë në vendet në zhvillim. Me këtë rast, përmendet raporti i Freedom House “Vendet në tranzicion 2010”, i cili u bë publik disa ditë më parë, i cili i dha Shqipërisë notën 3 në vlerësimin e përparimit të demokracisë vendore, një notë kjo më e ulët se ajo për vitin 2009. “Kjo është një tjetër notë negative që dëmton shpresat dhe përpjekjet e shqiptarëve në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian”, citon Shoqata për Autonominë Vendore, e cila është bashkim vullnetar i mbi 100 bashkive e komunave ku drejtojnë socialistët.

Advertisement