Tiranë | Shkolla 9-vjecare nr.1 në Krujë, 60 milionë lekë

Kjo shkollë, përbën një investim prej rreth 60 milion lekësh, me kapacitet prej 800 nxënës. Shkolla ka 24 klasa, 3 laboratorë, 2 kabinete informatike, bibliotekën, muzeun e shkollës dhe një sallë multi funksionale për veprimtari ekstrakurrikulare, si dhe palestër të mbyllur. Kryeministri Berisha, i cili u prit nga nxënës, mësues e familjarë të mbledhur me këtë rast, pasi i uroi ata për shkollën e re, u shpreh se ky mjedis i pajisur më së miri me të gjitha kushtet e një shkolle moderne evropiane do të jetë nxitës për rezultate sa më të larta në garën e bukur dhe fisnike të dijes. Kryeministri Berisha tha se, për këtë maxhorancë arsimi, shkollimi në kushte të mira, në kushte të njëjta me bashkëmoshatarët europianë përbën përparësinë e të gjitha përparësive. “Ne jemi të bindur se çdo qindarkë, që investojmë sot për ju shumëfishohet në dhjetëra dhe qindra herë nesër, në dritë, në zhvillim për Krujën dhe mbarë Shqipërinë. Ndaj dhe ne kemi shpallur arsimin, shkollimin, si çështjen tonë më serioze, më kryesore. Në një hark kohor të shkurtër nga 2006 e deri më sot, kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla në mbarë vendin dhe ka mbetur rreth 29% e tyre, që presin ndërtimin dhe rindërtimin”, theksoi Kryeministri Berisha. Gjithashtu, kryeministri garantoi nxënësit dhe mësuesit se gjatë mandatit që vjen çdo shkollë e këtij vendi do të jetë e ndërtuar rishtas ose e rindërtuar. “Duke ardhur këtu, pyeta Kryetarin e Bashkisë: Çfarë ka mbetur nga shkollat e qytetit pa ndërtuar nga e para apo rindërtuar? Më tha se tenderi për gjimnazin është hapur dhe është shpallur fituesi dhe fillon ndërtimi. Pra ka mbetur vetëm një shkollë në hyrje të qytetit. Jam sot këtu për t’u zotuar para jush se do të bëjmë çdo gjë për të ndërtuar dhe rindërtuar çdo shkollë, në qytetin, rrethin e Krujës, qarkun e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë”, tha Kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi “se në përpjekjen për një arsim modern, në një akt të parë të Shqipërisë dixhitale, ne shtrimë internetin në të gjitha shkollat e vendit. Ju garantoj se do të shtrihet në çdo klasë dhe teknologjia më e avancuar dixhitale do të jetë në duart e fëmijëve tanë”. Kryeministri foli edhe mbi 100 vjetorin e Pavarësisë. “Gjatë vizitës në shkollën tuaj, unë kudo ndjeva tek ju gëzimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në koncertin e mrekullueshëm të nxënësve, në sallën e informatikës dhe kudo. Ju krutanet dhe krutanët, por edhe të gjithë shqiptarët sot ndihen krenarë me historinë e tyre, e cila është e lashtë, është mijëra vjeçare, por në të vërtetë në këtë histori, Kruja qëndron në krye të saj. Kruja qëndron në krye të historisë, sepse pas Skënderbeut, e luftërave legjendare, e qëndresës që mahniti botën, por edhe pa Skënderbej të rinj, emri i kombit shqiptar do të ishte harruar në histori”, tha Berisha. “Në këtë shkollë dhe në mbarë shkollat e vendit, në shumë disiplina po zhvillohen konkurset e pavarësisë. Këto janë gara të mrekullueshme, gara në të cilat ju derdhni talentet e dijet tuaja, për të nderuar aktin më madhor në historinë e shqiptarëve, shpalljen me 28 nëntor 1912 ,nga burri i madh i kombit shqiptar, shtetari mendje ndritur, themeluesi i pavarësisë, Ismail Qemali në Vlorë. 100 vite kanë qenë vite të vështira, vite përpjekjesh mbinjerëzore për shqiptarët, por sot jemi të lirë, sot ndërtojmë të ardhmen, sot jemi anëtarë të NATO-s, sot ecim drejt ëndrrës europiane të rilindasve tanë, të paraardhësve tanë, ëndrrës sonë dhe fëmijëve tanë , drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Unë ju garantoj ju se qeveria do të bëjë gjithçka që kjo ëndërr të shndërrohet sa më shpejt në një realitet të bukur për mbarë shqiptarët. Shfrytëzoj rastin për t’i bërë thirrje edhe njëherë opozitës, të votojë ligjet që kërkohen nga Komisioni Evropian në mënyrë që të dëshmojmë, se të gjithë si shqiptarë jemi të përkushtuar në procesin e integrimit. I bëj thirrje të heqë dorë nga bllokimi, sepse ky bllokim është shkelmimi i ëndrrës më të bukur të fëmijëve tanë, të prindërve të tyre, të qytetarëve shqiptarë pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake”, tha Berisha. Kryeministri foli edhe mbi opozitën dhe kritikat e saj mbi inaugurimin e shkollave nga ai. “Kohët e fundit opozita kritikon kryeministrin pse inauguron shkolla të reja dhe pse në fjalimet e tij diskuton me nxënësit, mësuesit, prindërit dhe familjarët e nxënësve për ëndrrën më të bukur të tyre, ëndrrën Europiane. Unë dua ti garantoj ata se kritikat e tyre nuk me pengojnë mua dhe nuk do të më pengojnë kurrë në politikat e qarta tona për arsimin. Në rast se ndokush mërzitet se ne inaugurojmë shkolla të reja, në rast se ndokush mërzitet se ne kemi ndërtuar mbi 71% të të gjitha shkollave të vendit, apo rindërtuar ato, i them se do mërzitet edhe me shumë se do ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë në Shqipëri dhe se arsimi për ne, mbetet objektivi ynë më madhor. Ne duam që fëmijët shqiptarë të shkollohen në shkollat më moderne. Në rast se ata mërziten, sepse sëbashku diskutojmë për ëndrrën tonë Europiane, për projektin tonë të madh gabojnë rëndë, do të diskutojmë dhe debatin, dialogun për këtë ëndërr do ta vazhdojmë sëbashku, derisa ta bëjmë realitet të plotë, derisa në rrugën tonë të heqim çdo pengesë”, theksoi kreu i qeverisë.  

Advertisement