Tiranë – Shkarkohet Ahmet Prenci, emërohet Hysni Burgaj Drejtor i Përgjithshëm i Policisë

Burime zyrtare bëjnë të ditur se dy javë më parë Prenci kishte paraqitur dorëheqjen për arsye shëndetësore. Gjithashtu mësohet se pas kësaj Prenci do të emërohet në postin e këshilltarit të Ministrit të Brendshëm. Bashke me vendimin e largimit Këshilli i Ministrave ka bërë edhe emërimin në detyrë të drejtorit të ri i cili do të jetë Hysni Burgaj, deri më sot zëvendësdrejtor i përgjithshëm i policisë, përgjegjës për shërbimet mbështetëse. Kryepolici Ahmet Prençi, u emërua në krye të Policisë së Shtetit në mars të vitit 2007 kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sokol Olldashi. Prençi ishte drejtor i Policisë së Shkodrës kur mori postin e Policisë së Shtetit. Zëvendësuesi i tij, Burgaj ka qenë komandant i postës së policisë në qytetin Studenti, më pas drejtor i policisë në Gjirokastër dhe në Kukës. Në 29 korrik të vitit 2008 ai është emëruar zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për shërbimet mbështetëse në Policinë e Shtetit duke zëvendësuar Arben Docin.

Advertisement