Tiranë | Shehu: kemi arritur buxhetin maksimal shëndetësor

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, hodhi poshtë akuzat e opozitës për sistemin shëndetësor në vend, duke theksuar se fushata e tij denigruese karakterizohet nga nihilizmi dhe gënjeshtra. Në një takim me gazetarët deputeti Shehu tha se zhvillimi i reformave në shëndetësi, decentralizimi i sistemit, përfshirja e strukturave në skemën e sigurimeve etj, janë të vetmet rrugë që të çojnë në zhvillime pozitive cilësore të shërbimit, në përputhje me principet e ekonomisë së tregut. Sipas tij sot në vend janë automatikisht në skemën e sigurimeve, pra përfitojnë falas medikamente dhe shërbimin rreth 530 mijë pensionistë, të papunët, ata me përkrahje sociale, nxënësit, invalidët e kategori të tjera nën nevojë. Kjo sipas Shehut kërkon rritje të ndjeshme buxheti në këto vite, duke arritur këtë vit buxhetin maksimal shëndetësor e social në vlerë, e cila i jep shtetit shqiptar një aspekt thellësisht social. Sipas deputetit Shehu, ligji për sistemin e sigurimeve, i mbështetur dhe nga të majtët, është ndërtuar me asistencën e plotë të Bankës Botërore dhe tashmë është më i suksesshmi në hapësirën europiane. Për deputetin demokrat rrugët e zgjidhjes për problemet ekzistuese që prezanton Edi Rama janë krejt irracionale, e centraliste dhe absolutisht të kundërta me ato zhvillime që ka nevojë sistemi ynë shëndetësor në të ardhmen.

Advertisement