“Ky është viti më i errët për pagat dhe të ardhurat e mësuesve pasi që nga 6 Shtatori kur nisi viti shkollor janë flakur në rrugë 300 mësues në qarkun e Korçës, 80 mësues në qarkun e Beratit dhe 300 mësues të tjerë në qytetin e Tiranës”, deklaroi nga selia rozë, deputetja Shamku. Sipas saj, Berisha nxorri në rrugë të gjithë mësuesit e dispozicionit çka do të thotë se e katandisi shkollën në parkim fëmijësh. “Berisha gënjen kur thotë se e ka prioritet arsimin pasi sapo ua vuri në rrezik pagat pedagogëve”, tha zonja Shamku. Deputetja socialiste ka shpjeguar se “kryeministri Berisha gënjen me vetëdije, kur flet për klasa me 30-35 nxënës, pasi vetëm para një jave sipas saj, drejtoritë arsimore kërkuan bashkim klasash pasi nuk ka fonde për të paguar mësuesit, çka do të thotë jo 30-35 nxënës, por 40-50 nxënës për klasë”, theksoi Shamku. “Berisha t’i lërë gënjeshtrat nga Kamza, por t’u përgjigjet 300 mësuesve që protestojnë para Ministrisë Arsimit, se janë pushuar puna në mënyrë krejtësisht korruptive dhe antiligjore”, përfundoi deklaratën e saj deputetja Ledi Shamku.