Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florion Serjani deklaroi në një konferencë për shtyp se Bashkia ka hasur në një rezistencë të policisë, e cila nuk e ka lejuar bashkinë të heqë banderolat blu të qeverisë nga shtyllat për të valëvitur aty si gjithnjë flamujt kombëtarë kuqezi. “Flamujt kuq e zi u vendosën nga Bashkia me banderolat, kjo për të shmangur çdo incident në rrugë e keqkuptim në publik”, theksoi Serjani. Ai bëri me dije se kjo nuk është e para herë që këshilltari Poni shpif, pasi sipas tij akuza për festat është e përsëritur. “Poni ka disa kallëzime për shpifje nga ana jonë do të kallëzohet edhe për këtë shpifje”, tha Serjani. Sakaq ai akuzoi në emër të Bashkisë së Tiranës, kryeministrin Sali Berisha, i cili po përpiqet të ndotë 29 Nëntorin e çlirimit të vendit, me makinën e baltosjes, një festë të cilën Bashkia e Tiranës do ta përmbyllë me festimet e Natës së Bardhë. “Berisha ka dështuar me integrimin dhe zhvillimin europian të vendit. Balta e tij edhe sot është shprehja e këtij dështimi. Berisha nuk e mbulon dot me dështimin ndaj duhet edhe ditët e festave për luftën me opozitën”, nëvizoi zëdhënësi i Bashkisë së kryeqytetit.


