Sërish debate në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për projekt vendimin për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e përgjithshme të datës 23 qershor 2013. Zëvendëskryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe anëtarët Albana Shtylla dhe Jani Jani, pak ditë më parë depozituan në Komisionin Zgjedhor kërkesën për të rishqyrtuar shpërndarjen e mandateve sipas p/vendimit të propozuar nga KQZ dhe jo sipas vendimit të marrë nga Komisioni i Ligjeve për të lënë në fuqi ndarjen sipas formulës së përdorur për zgjedhjet e 2009-s. Sipas Bibës, një çështje që nuk futet në rendin e ditës nuk mund të diskutohet. Sipas kryetares Lleshi, kërkesa e opozitës nuk ka objekt për ta futur në rendin e ditës. Ajo tha se nuk po shkel ligjin duke mos e futur kërkesën e dy anëtarëve të KQZ, duke nënvizuar se tashmë procedura e ndarjes së mandateve nuk i përket më KQZ. Rrjedhimisht kërkesa nuk u mor në konsideratë. “Për anëtarët e tjerë e kemi mbyllur procedurën, për ty ndoshta jo. Procedura tashmë i ka kaluar Parlamentit. KQZ nuk ka më tagrin t’i rikthehet dhe të marrë në shqyrtim mandatet. Nuk kemi më punë me caktimin e mandateve, ju vetë nuk votuat as në parim. Nëse do votosh në parim ke të drejtë të caktosh mandate. Argumenti juaj që unë po shkel ligjin është antiligjor. Ne nuk kemi më punë me mandatet”, iu përgjigj ajo Bibës. Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba në një prononcim për mediat pas mbledhjes së KQZ-së, akuzoi kryetaren Lleshi se është shkelëse e ligjit. Ai foli për një raport me fakte, prej të cilit kishin zbuluar se “Banorët e Tiranës janë regjistruar në 4 komuna të Kukësit”. Ai shtoi më tej se “Sot është krijuar e njëjta situatë si në kohën e Dushkut. E bëri partia në pushtet, po e bën sërish partia në pushtet”, tha ai.