Tiranë | Sajmir Tahiri takohet me Ministrin e Brendshëm Italian

Në cilësinë e Ministrit të ardhshëm të Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Brendshëm të Italisë, Angelino Alfano, duke e cilësuar si një “takim të shkëlqyer dhe mjaft inspirues”. Ky takim është konfirmuar nga vetë Tahiri nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ku bën të ditur se “Ministri Alfano shprehu mbështetjen e plotë për qeverine e re për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian”. Ai shprehet se “Alfano u angazhua personalisht për të mbështetur Shqipërinë në të gjitha strukturat e BE, takimet dypalshe me homologët e tij të BE si dhe mbështetje të plotë për Shqipërinë në takimin e ardhshëm të Partive Popullore Europiane”. Më tej, Tahiri bën të ditur se “i shpreha Ministrit Alfano shqetësimin tonë për situatën e sigurisë publike në vend, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qënieve njerzore dhe lëndëve narkotike, duke i shprehur bindjen se një Shqipëri më të sigurt, ka efekt të menjëhershëm në sigurinë rajonale dhe sigurinë e vetë Italisë”. “E sigurova gjithashtu për vullnetin e Kryeministrit Rama, Qeverisë dhe vecanërisht të Ministrisë së Brendshme për të rikonceptuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve si sfida të përbashkëta e për ti adresuar ato me prioritet maksimal”, deklaron Sajmir Tahiri, i cili u emërua në postin e Ministrit të Brendshëm nga Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama. Në komentin e tij në “Facebook”, Tahiri nënvizon se ‘Ministri Alfano shprehu gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Shtetit me ekspertizë profesionale, logjistike dhe infrastrukturë, duke fuqizuar urat e bashkëpunimit dhe misionet italiane që asistojnë Policinë Shqiptare sot”. Në vijim të detajeve nga ky takim, Tahiri shprehet se “e konsideruam sfidë të përbashkët intensifikimin e luftës kundër trafiqeve me synim daljen sa më shpejt të Shqipërise nga klasifikimi “vend në vëzhgim” në renditjen e Departamentit Amerikan të Shtetit”. Në përfundim ministri i ardhshëm, Tahiri shkruan se “konsideruam të nevojshëm një takim të dytë në Shtator për të rishikuar konkretisht marrëveshjet dypalshe në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit policor si dhe një plan pune konkret që do të diskutohet ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe homologut Italian”.

Advertisement