Tiranë | Rushaj: Kupola socialiste dhe familjarët e tyre të zhytur në evazion fiskal

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, u ka bërë sot thirrje drejtuesve të PS-së dhe familjarëve të tyre të paguajnë detyrimet që kanë ndaj shtetit, njoftoi zyra e shtypit e Partisë Demokratike. Zoti Rushaj tha se ata që sot betohen për ndryshim të sistemit të taksave, janë të zhytur në evazion fiskal. Pagesa e taksave do ishte mënyra më e mirë, tha Rushaj, për të treguar ndershmërinë e tyre para të gjithë taksapaguesve të tjerë. Në një bashkëbisedim me bizneset e kryeqytetit tek kryqëzimi i rrugës “Mine Peza” me “Unazën”, zoti Rushaj tha se deri me sot kupola e drejtuesve socialistë ka treguar se ata vetëm dinë të rrisin informalitetin dhe evazionin fiskal. “Çfarë është për t’u theksuar dhe çfarë kërkojnë bizneset nga shteti, është që të gjithë të taksohen në mënyrë të barabartë. Pra të gjithë të jenë në sistem, të luftohet informaliteti, të mos ketë përjashtime që disa paguajnë, disa nuk paguajnë dhe mbi të gjitha të luftohet mënyra klienteliste e të vendosurit të taksave”, tha Rushaj. Sipas tij, “ata deputet që bërtasin dhe betohen për të bërë përjashtime, për ta prishur këtë sistem, do të bënin mirë që të jepnin një kontribut paksa më pozitiv dhe më të ndjeshëm. Do të bënin mirë që të mos bënin evazion fiskal ata dhe familjarët e tyre. Do të bënin mirë që të paguanin taksat ata dhe familjarët e tyre. Kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar këta biznesmenë dhe këta individ, për t’u marrë shërbimi që duhet dhe për t’ia lehtësuar barrën tatimore”. Tregtarët e njësisë bashkiake numër 9 thanë sot se, niveli i taksave nga 2010 në 2012 ka pësuar ndryshime, duke u përgjysmuar me ardhjen në krye të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha.

Advertisement