Në një bashkëbisedim me gazetarët Ruçi theksoi se vendimi i KQZ-së për fletët nuk ishte i papritur për PS-në pasi nuk ishte veçse një skemë e dirigjuar nga Berisha dhe e zbatuar nga Ristani. “Vendimi për djegien e fletëve të votimit nuk ishte e papritur por një skemë e ideuar nga dirigjenti Berisha dhe dje Ristani shërbyesi i verbër në kundërshtim me ligjin bëri realitet implementimin e regjisë” theksoi Ruçi. Sipas tij e vërteta e zgjedhjeve të 28 Qershorit fshihet tek materialet zgjedhore prandaj kutitë nuk mund të digjen. “E vërteta qëndron tek materialet zgjedhore dhe e vërteta nuk mund të digjet dhe nuk mund të varroset dot edhe pse Ristani na ftoi të marrim pjesë në funeralin e djegieve të fletëve të votimit” theksoi Ruçi. Ai gjithashtu theksoi se Partia Socialiste nuk ndryshon qëndrimin e saj për sa i përket transparencës së zgjedhjeve dhe se opozita do të vijojë me protestat e saj për votën e lirë. “Ne do vijojmë të jemi në protesta për votën e lirë dhe transparencën e zgjedhjeve, për luftën ndaj korrupsionit të kësaj mazhorance dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë, luftës ndaj krizës ekonomike. Ne do të jemi në protestë dhe do të denocojmë këtë mashtrim dhe shpifje që vazhdon të bëjë mazhoranca aktuale” theksoi Ruçi.