Tiranë | Ruci: mazhoranca të votojë paketën e PS për ndryshimet Kushtetuese

gramoz-ruci ne parlament

“Kemi propozuar një paketë që nuk ka të bëjë me makiazhin e sistemit të drejtësisë, por me thelbin e tij. Ndaj kush do drejtësinë e pavarur le të votojë nismën tonë kushtetuese. Vota për propozimet tona është votë për barazi para ligjit dhe kjo është reforma reale që e bën drejtësinë të pavarur dhe transparente”, theksoi Ruçi, ndërsa ripërsëriti qëndrimin e opozitës për heqjen e imunitetit, duke e konsideruar këtë një çështje të mbyllur dhe për të cilën PS tha ai ‘nuk ka asnjë dilemë, pasi vota e saj është ‘PRO’. Në fjalën e tij në Kuvend Ruçi theksoi se ky 100 vjetor i Pavarësisë e gjen vendin në udhëkryq, ndërsa akuzoi maxhorancën se nuk i ka interesuar marrja e statusit, por kapja e institucioneve kushtetuese. “Ky 100 vjetor e gjen vendin në një udhëkryq dhe me pikëpyetjen nëse do e marrim ftesën për statusin e kandidatit apo do të na refuzohet për herë të tretë. Maxhoranca ka dy muaj që kërkon të manipulojë opinionin për të justifikuar dështimin për herë të tretë duke fajësuar opozitën dhe Edi Ramën. Por, juve si maxhorancë ju interesonte presidenti noter i kryeministrit dhe kapja e institucioneve kushtetuese dhe jo statusi i kandidatit’, u shpreh ai. Sipas tij 100 vjetori e gjen vendin me një ekonomi të rënduar dhe me një krizë ekonomike që përpiqet të fshihet, e gjen me një kriminalitet të shtuar dhe me korrupsionin që rritet me shifra galopante. Duke renditur disa nga problemet me te cilat përballet sot vendi, Ruçi risolli në vëmendje rizgjedhjen në mënyrë të njëanshme të presidentit të Republikës dhe kritikat e opozitës për vendimet e marra deri tani prej tij. “Pa kaluar as një muaj nga marrja e detyrës së lartë, presidenti Nishani hodhi menjëherë tre firmat e para pa marrë shënjestër. Nuk mori nishan kur në krye të KLD-së zgjodhi një militant partie me performancë aspak dinjitoze për organet e drejtësisë; nuk mori nishan kur në krye të SHISH vendosi një drejtues me një kaluar të zezë që të rikujton kohën e SHIK të viteve ’92-’97 dhe sikur të mos majftonte kjo nuk mori aspak nishan kur në krye të FA Detare dekretoi ushtarakë të lartë të arsimuar për forca tokësore”, tha Ruçi. Në ditën e parë të sesionit të ri, vijoi Ruçi, opozita i kërkon presidentit të mos e shkrehë më pa marrë nishan. Ndaj dhe sot i themi presidentit se nuk është noter i kryeministrit, por noter i kushtetutës dhe garant i unitetit kombëtar.  

Advertisement