Ruçi tha se “Në 8 Maj nuk u bën zgjedhje të lira e të ndershme por u dhamë shqiptarëve ato palo zgjedhje, të cilat nuk klasifikohen në asnjë standard, ndaj nuk kemi arsye pse të krenohemi dhe të mburremi me atë që kemi bërë. Nuk dua të ndaj peshën e fajit pasi jam i bindur se tashmë nuk ka mbetur asnjë njeri që gishtin për vjedhjet nuk e drejton ndaj një njeriu, dhe ky jeni ju zoti Kryeministër”. Ai shprehu bindjen se opozita dhe lideri i saj bënë gjithçka në përputhje me standartet e botës, ndaj dështimin tha ai nuk e mbajnë të gjithë njëlloj, pasi sipas tij dështuan Kryeministri dhe Qeveria. “Raporti i OSBE-ODHIR-it flet qartë, Shqipëria ngeli në klasë dhe qeveria ngeli në klasë. Maskaradën zgjedhore në kryeqytet zoti Kryeministër nuk e mbulon dot me togfjalëshin, zgjedhje transparente dhe konkurruese, pasi as raporti nuk i klasifikon këto zgjedhje, sepse nuk kanë as standardet më minimale, pasi zgjedhjet u vodhën”. Më tej ai i cilësoi zgjedhjet e Tiranës si rasti i parë për të dhënë sfidën ndaj pushtetit, duke thënë se këto zgjedhje u bën plotësisht të paligjshme, ku i pari kreu i KQZ-së Arben Ristani, shkeli me të dyja këmbët ligjin pasi në Tiranë dolën më shumë vota se sa zgjedhës dhe për këtë ai u shpërblye. Lidhur me hallkën më të lartë të ankimimit të zgjedhjeve Ruçi deklaroi se, “Kolegji Zgjedhor bëri tenderin e radhës ku fitoi oferta më e majme dhe me këtë u demonstrua kapitullimi më i madh, që është ai i drejtësisë”. Sipas tij me zgjedhjet e 8 Majit u sfidua edhe faktori ndërkombëtar.