Tiranë | Ruci: deputetëve ju mohua votimi i fshehtë

gramoz-ruci ne parlament

Ruçi paralajmëroi se pa kthimin e votës së fshehtë në parlament nuk do të ketë as zgjedhje të presidentit. Në fillim të punimeve të seancës së sotme plenare, Ruçi theksoi se votimi i së enjtes së kaluar nuk ishte i fshehtë dhe deputetëve iu mohua vota. “Ajo që ndodhi nuk duhet lejuar më, pasi është dhunuese, manipuluese dhe ne do ta ndalojmë. Nuk do të ketë rast të dytë kur ju mund ta aplikoni. Ne do ju ndalim këtu dhe kudo ku do të ketë zgjedhje. Votimi elektronik nuk është i fshehtë. Ju i zhbëtë parimet, Berisha i pari. Pushteti i tij ka vdekur demokratikisht dhe numerikisht, kur votat që ka nuk garantojnë pushtetin dhe për t’i pasur dhunon secilin prej jush”, deklaroi Ruçi në seancën e sotme të Kuvendit. Ai paralajmëroi se opozita është e hapur për zgjedhjen e një presidenti si përfaqësues i unitetit të popullit, si një nevojë jetike për të shpëtuar demokracinë nga rreziku i një pushteti një partiak. “Ne kemi kërkuar që në frymën e Kushtetutës të ndërtohet një proces transparent dhe demokratik dhe në respekt të një parimi kushtetues. Por ju po refuzoni, duke ecur para në skenarin tuaj të votimit për një president të partisë në krye të shtetit. Votimi i së enjtes ishte prova gjenerale se ju do shkelni Kushtetutën dhe do dhunoni vullnetin e lirë për t’i shkuar deri në fund shpëtimit të pushtetit tuaj. Por, ne nuk do ju lejojmë, vota e fshehtë do rikthehet në Kuvend me çdo çmim dhe pa të nuk do ketë as zgjedhje të presidentit”, deklaroi Ruçi.