Tiranë – Rindërtohet sheshi “Shtraus”

Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, është shprehur i kënaqur për përfundimin e punimeve që transformuan pamjen dhe vlerën e zonës gjë që sipas tij erdhi si rezultat i dëgjesave publike me qytetarë. “Jam shumë i kënaqur dhe krenarë për përfundimin e këtij projekti, i cili i jep një cilësi tërësisht të re kësaj zone, i jep një pikë të re referimi të gjithë komunitetit të zonës dhe transformon jo vetëm pamjen por edhe vlerën e zonës dhe vlerën e të gjithë këtyre banesave dhe hapsirqave të biznesit rreth e rrotull”- u shpreh kryebashkiaku Rama. Më tej Rama shtoi, “kjo është një arritje e përbashkët në të gjithë këtë komunitet dhe ky projekt është rezultat i dëgjesave publike dhe mbajtjes shënim të një kërkese këmbëngulse të komunitetit për të pasur këtu një nga qendrat që do të përbëjnë rrjetin e Tiranës policentrike” – theksoi Rama. Pjesa qëndrore e sheshit është konceptuar, si ambient shlodhjeje për banorët e zonës, ndërsa pjesa tjetër si zonë pedonale. Ndriçimi është një element i rëndësishëm në projektin e rikualifikimit të sheshit, i konceptuar që veç trotuareve dhe rrugëve ti shërbejë edhe platformës së mbjellë me pemë. I gjithë sheshi është dekoruar nga pemët dhe stolat. Së bashku me sheshin janë rikonstruktur edhe fasadat e objekteve ekzistuese që rrethojnë sheshin “Shtraus”.

Advertisement