Tiranë – Rifai shpreh gatishmëri për bashkëpunim në sektorin e turizmit

Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara për Turizmin, Taleb Rifai në një takim me presidentin e Shqipërisë Bamir Topi. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit shprehu gatishmërinë e plotë për të ndarë përvojën pozitive dhe për të dhënë të gjithë ndihmesën e duhur, që përfshin disa projekte për zhvillimin dhe promovimin e turizmit. Nga ana e tij presidenti Topi ka vlerësuar vizitën e zotit Rifai si tepër domethënëse në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi përkon me marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu theksoi se ky proces do të sjellë gradualisht rritjen e interesit për promovimin e turizmit, të bukurive të rralla natyrore dhe të vlerave të veçanta historike e kulturore shqiptare në mbarë botën. Duke nënvizuar rëndësinë që ka sot për Shqipërinë Organizata Botërore e Turizmit, për mbështetjen që ajo mund të ofrojë në drejtim të zhvillimit të turizmit si një nga sektorët prioritarë të vendit tonë, Presidenti Topi garantoi përkrahjen e plotë të shtetit shqiptar në realizimin e projekteve, rritjen e investimeve dhe thithjen e turistëve e të investitorëve. Kryetari i shtetit nënvizoi gjithashtu se mbetet me rëndësi bashkëpunimi në fushën e turizmit midis vendeve të rajonit, “i cili duhet të të jetë më intensiv, pasi në këtë mënyrë forcohet bashkëpunimi i ndërsjellë edhe në shumë fusha të tjera jetike”. Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi rëndësinë e realizimit të një projekti të përbashkët mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për zhvillimin dhe mbrojtjen e ekosistemit të Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna.

Advertisement