Tiranë | Rekomandohet dhënia e statusit por duhet të vijojë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

“Komisioni Europian propozoi për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, duke kuptuar se do të vazhdojë përpjekjet e saj për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi sot Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle. Në një konferencë për mediat, pas Prezantimit të Progres Raportit para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Fyle kërkoi që qeveria aktuale dhe opozita të kenë një dialog integrimi. “Ju e kujtoni kur vitin e kaluar propozuam statusin e vendit kandidat, duke e kushtëzuar me tre hapa specifik. Këtë herë Komisioni është kthyer dhe thotë se Shqipëria ka përmbushur këto tre kushte si dhe ka përmbushur zgjedhjet parlamentare dhe kam lexuar me interes të veçantë raportin pozitiv të OSBE/ODIHR, që është publikuar kohët e fundit”, u shpreh ai. Komisioneri Fyle nënvizoi se duke propozuar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, nënkuptojmë se ajo do të vazhdojë përpjekjet e saj në luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Jam siguruar nga vizita e Kryeministrit të ri, Rama, këtu në Bruksel, pak kohë më parë, kur ai më konfirmoi se i kupton sfidat për autoritetet shqiptare, ku një vendim mund të merret në dhjetur nga vendet anëtare si një mundësi për autoritetet shqiptare që të përmbushin edhe më shumë sfiada për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi zyrtari i lartë i BE-së. Duke rikujtuar 5 prioritetet e vendosura për Shqipërinë, Fyle tha se “këto prioritete qëndrojnë mes Shqipërisë dhe bisedimeve, sepse statusi kandidat është propozuar nga Komisioni Evropian dhe hapja e negociatave në këtë rast, janë dy çështje të ndryshme. Për KE në një farë mënyrë për të hapur negociata do të duhet të sillnim këto 5 kushte”. Por, tha Komisioneri Fyle, kemi bërë një ofertë për autoritetet shqiptarë që të vendosin një dialog integrimi. “Është një mënyrë kjo për t’i ofruar Shqipërisë instrumenta nxitës për të adresuar këto 5 prioritete kyçe dhe shpresoj shumë që qeveria do të bëjë gjithçka që mundet që opozita aktuale të jetë pjesë e këtij procesi. Ata kanë shumë eksperiencë dhe unë shpresoj që kjo eksperiencë të përdoret për të siguruar që ka një platformë përfshirëse për të zgjidhur këto 5 prioritete kyçe”, përfundoi Komisioneri Fyle. Pesë prioritetet e vendosura sot nga KE për Shqipërine janë vazhdimi për të zbatuar reformat në administratën publike, të ndërmarrë më shumë veprime për të forcuar pavarësinë dhe efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit, të tregojë vendosmëri në luftën kundër korrupsionit, të bëjë më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar si dhe të marrë masa efektive për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë atë të komunitetit rom dhe politika antidiskriminuese si dhe zbatimin e të drejtave të pronave.

Advertisement