Tiranë – Rehn, autorët e vrasjes së Xhindit të dërgohen para drejtësisë

Në një deklaratë për shtyp Rehn ka dënuar vrasjen e Fatmir Xhindit ndërkohë që i ka përcjellë ngushëllimet e tij të sinqerta familjes dhe miqve të tij. Grupi hetimor ndërkohë po heton në 4 pista të mundshme por për shkak të cilësive të vecanta të viktimës të gjitha hetimet po kryhen në sekret të plotë. Deri më tani janë verifikuar dyshimet për një konflikt pronësie në fshatin Kurjan ashtu sikurse edhe një mosmarrëveshje e ndodhur kohë më parë. Burime nga Laboratori i Kriminalistikës pohuan se në pakon e aspirinave që dyshohet të jenë përdorur nga autori ose autorët nuk janë gjetur gjurmë. Gjithashtu është bërë e ditur se nga llogaritja e distancës së plumbave në vëndngjarje por edhe në trupin e viktimës është bërë një skenar se si është qëlluar deputeti. Pasi e ka pritur për mëse 40 minuta në këtë vënd, autori dyshohet të ketë përdorur armë për herë të parë pasi nga shpërndarja e plumbave tregohet se arma i ka dalë jashtë kontrollit ndërsa qëllonte. Nga mënyra se si është qëlluar sipas ekspertëve tregohet se pas të shtënave në distancë janë realizuar edhe qitje nga afër. Ndërkohë janë marrë e po ballafaqohen dëshmitë e të gjithë fshatarëve dhe personave që e kanë parë gjatë ditës viktimën.

Advertisement