Tiranë – Regjistrohet partia më e re, Tolerancë e Re e Shqipërisë

Gjyqtarja Blerina Muca ka dhënë këtë vendim duke pranuar kërkesën e 500 anëtarëve për regjistrimin si person juridik të partisë Tolerancë e Re e Shqipërisë e cila do te njihet ndryshe me inicialet PTR e Shqipërisë. Kryetar i kësaj partie është zgjedhur Avdi Keci, ndërsa kryesinë e kësaj partie përvec Kongresit Kombëtar, Këshillit Kombëtar, Komitetit Drejtues e përbëjnë dhe organizmat e tjerë si Kryetari, Kryeurtani, Këshilli i të Urtëve dhe Sekretari i Përgjithshëm. Neni një i statutit të kësaj partie përcakton se Toleranca e Re e Shqipërisë është një bashkim politik mbarëshqiptar, i hapur për të gjithë ata që duan dhe prosperojnë barazinë, integrimin, përfaqësimin dhe ekuilibrin ndërsocial, pavarësisht dallimeve sociale, racore, gjinore apo ekonomike. Në kërkesën e kësaj partie të dorëzuar në gjykatën e Tiranës thuhet se motoja e PTR është harmonia dhe ekuilibri social. Ndërkaq në vendimin e saj gjyqtarja Blerina Muca cmon se nga shqyrtimi i akteve të depozituara rezulton e përcaktuar qartë se për arritjen e këtyre qëllimeve do të përdoren mjete dhe metoda demokratike duke qëndruar larg dhunës, nxitjes së përcarjes e duke vepruar sipas kushtetutës.

Advertisement