Në nisje të seancës së sotme plenare kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njoftoi deputetët për mbërritjen në parlament të projektit për reformën territoriale.
Meta tha se pas përfundimit të procedurave parlamentare drafti i plotë i hartës së re administrative të Republikës së Shqipërisë pritet t’i kalojë për miratim seancës së 31 korrikut, që është dhe e fundit për këtë sesion kuvendor. Seanca e sotme e Kuvendit, ku sërish mungon opozita, nisi me diskutimin e pr/ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”. Rendi i ditës i punimeve të Kuvendit po vijon me pr/ligjin “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, ndërsa më pas pritet diskutimi i ndryshimeve në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Pjesë e rëndësishme e punimeve të sotme të parlamentit janë dhe projektligjet që lidhen me reformën në drejtësi, si disa shtesa në Kodin Penal; ndryshimet në ligjin “Për funksionimin e KLD-së”, si dhe ndryshimet në ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”. Po ashtu, Kuvendi voton sot dhe dekretin e Presidentit “Për kthimin e ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura”.