Tiranë | Referendumi për mbetjet më 22 Dhjetor

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 152, pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dekretoi datën 22 dhjetor 2013, për zhvillimin e referendumit për shfuqizimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Më 22 dhjetor 2011, KQZ vendosi të miratojë modelin e fletës tip për mbledhjen e nënshkrimeve të 50 mijë zgjedhësve, siç sanksionohet në nenin 150 të Kushtetutës dhe në nenin 127 të kodi zgjedhor. KQZ më 28 qershor 2012 vendosi pranimin e kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe dërgimin e kërkesës Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese më datë 3 janar 2013. Gjykata Kushtetuese më 8 mars 2013 vendosi të pranojë kërkesën, si dhe deklarimin si të pajtueshme me Kushtetutën të kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Bazuar në nenin 152, pika 3 të Kushtetutës, Presidenti cakton datën e referendumit brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, neni 119, pika 2 e kodit zgjedhor të vitit 2003 nuk lejon mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm brenda periudhës 6 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit deri 3 muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri (sipas një përllogaritje kjo periudhë korrespondon me datat 7 mars 2013 -17 dhjetor 2013). Për sa më sipër, Presidentit të Republikës i mundësohet caktimi i datës 22 ose 29 dhjetor 2013 si datë për zhvillim referendumi. Në këto kushte, Kreu i shtetit vendosi të caktojë 22 dhjetorin si datën për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Advertisement