Tiranë | Referendum për ligjet e integrimit, Berisha: integrimi europian nuk do të merret peng nga askush

alt

Kryeministri Sali Berisha garantoi sot qytetarët se procesi i integrimit europian, projekti kryesor i shqiptarëve, nuk do mund të merret peng nga askush. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeminstri shpjegoi arsyet e propozimit në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” mbi një referendum për 3 ligjet që kërkohen nga Komisioni Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Shtrova kërkesën lidhur me referendumin për 3 ligjet për integrimin për faktin sepse ky qëndrim që po mban z. Rama i ka të gjitha shenjat dhe të dhënat se Edi Rama po përgatit tërësisht skenarin e zgjedhjeve të vitit 2009. Madje, nëse ju keni patur kureshtje ta ndiqni, deklaroi se dhe zgjedhjet e 2009 i kam fituar thotë ose do fitoj si në 2009”, u shpreh Berisha. I gjetur para kësaj situate, vijoi kreu i qeverisë, “Kushtetuta përcakton mekanizma të qartë që nuk lejon kurrë që kombi të merret peng nga askush dhe një nga këto mekanizma të qarta është demokracia direkte. Kemi të bëjmë me një akt të shëmtuar sa vetë shëmtia, bllokimin e ligjeve për arsye kryekëput personale, por kemi Kushtetutën”. Sipas Kryeministrit, skenari i Ramës është 2009-a, në mënyrë që të dëmtojë procesin e statutit të vendit kandidat në BE. “Ne do të respektojmë standardet ndërkombëtare, por jo standardet e z.Rama”, u shpreh kreu i PD-së. Sipas Kryeministrit, procesi do të jetë shumë transparent. “Në rrjetin tonë social jemi shumë dhe do të vazhdojë ky debat. Nuk ka ende një vendim përfundimtar sepse do të shoh rezultatet e debatit. Do t’i diskutoj me ju dhe grupet e interesit. Po një gjë është e sigurtë. Këtë vend askush nuk mund ta marrë peng sepse Kushtetuta ka rregulla”, iu drejtua Kryeministri Berisha deputetëve të PD-së.

Advertisement