“Artizanati është një nga traditat më të çmuara kulturore dhe ekonomike të Shqipërisë dhe ka një potencial të madh të vetëpunësimit dhe punësimit në të gjitha zonat e vendit. Prodhimet artizanale shqiptare po bëhen gjithnjë e më të preferuara për shqiptarët dhe të huajt. Ndaj, me këtë Fond fillestar, prej rreth 50 milion lekësh, qeveria synon të krijojë një burim të ri financimi direkt të veprimtarive artizanale në të katër anët e vendit, por edhe zbutjen e interesave të kredive” tha Mëhilli. Gjithashtu kryeministri Berisha i ka bërë thirrje të gjitha qeverive vendore që në interes të punësimit të qytetarëve të bashkive dhe komunave ku ata qeverisin, të krijojnë dhe ata, brenda mundësive që kanë, fonde të tillë dhe të parashikojnë të gjitha lehtësirat e mundshme logjistike për këtë degë të rëndësishme për punësimin e qytetarëve. “Gjithashtu, krijimi i këtij Fondi i shërben jo vetëm rigjallërimit të këtij sektori, por edhe ruajtjes së traditës së prodhimeve artizanale shqiptare” shtoi Mëhilli. Po sot, me një vendim të dytë, Kryeministri firmosi edhe për disa ndryshime në vendimin për kasat fiskale. Sipas Mëhillit ky vendim parashikon uljen me rreth 60 % të pagesës vjetore që paguan çdo biznes në Shqipëri për mirëmbajtjen e pajisjes fiskale. Nga 9400 lekë që është paguar deri më tani, pagesa vjetore e mirëmbajtjes bëhet vetëm 4000 lekë, pramë pak sesa gjysma e pagesës që bëhej më parë.