Zëdhënësja e Presidencës, Mimoza Koçiu u shpreh se presidenti në përputhje me kompetencat kushtetuese ka ushtruar në çdo kohë funksionet e Kryetarit të KLD-së. “Prania ose delegimi i drejtimit të mbledhjeve të KLD-së sipas ligjit, lidhet me gjykimin e Presidentit të Republikës mbi rendin e ditës. Në rastet kur çështjet në rendin e ditës kanë qenë tërësisht teknike, Presidenti i Republikës e ka deleguar drejtimin e mbledhjes duke respektuar aftësinë e anëtarëve të KLD-së për ekpsertizë dhe gjykime profesionale. Mbledhja e sotme është caktuar ditë më parë me një rend dite të karakterit thjesht teknik”, sqaroi Koçiu. Po ashtu, zëdhënësja e presidentit deklaroi se miratimi i kërkesës nga ana e KLD-së nuk ka për qëllim zgjidhjen e pretendimit të anëtarëve të Kolegjit. Sipas saj, këto nuk janë kompetencë e KLD-së, pasi ligji ka përcaktuar organin ligjor ku, ato mund të adresohen. “Kolegji Zgjedhor dhe aktiviteti i tij nuk kanë lidhje organike dhe funksionale me Institucionin e Presidentit dhe të KLD-së, gjë që vetvetiu nënkupton mungesën e kompetencës ligjore të KLD-së për të trajtuar shqetësimet e ngritura nga anëtarët e Kolegjit”, u shpreh ajo. Sërish presidenti, ka apeluar që aktorët kryesorë politikë konfliktet dhe mosmarrëveshjet e tyre të mos tentojnë t`i zhvendosin tek sistemi gjyqsor. “Drejtuesit politikë duhet që me qetësi dhe kurajo të ndjekin rrugën institucionale për trajtimin dhe zgjidhjen e tyre”, nënvizoi ajo.


