Tiranë – Reagon Kuvendi: opozita nuk ka kërkuar seancë për përmbytjet

Në një njoftim për mediat Kuvendi sqaron se kryetari i PS-së nuk ka kërkuar mbajtjen e seancës dhe as ka dorëzuar një kërkesë ligjore për të diskutuar për përmbytjet. “Zoti Rama siç e ka zakon edhe kësaj radhe, nuk ka sjellë në Kuvend asnjë ofertë, asnjë dokument apo shkresë, siç e parashikojnë procedurat parlamentare, në lidhje me situatën e fatkeqësisë natyrore. Për rrjedhojë, në Kuvend nuk ka asgjë për të diskutuar me këtë kërkesë të Partisë Socialiste”, thuhet në reagimin e Kuvendit. Duke e cilësuar si spekulimin e radhës deklaratën e Ramës, njoftimi thekson se përfaqësuesit e PS-së kanë dhënë mirëkuptim për shtytjen e seancës. “Në Konferencën e fundit të Kryetarëve, është diskutuar dhe rënë dakord paraprakisht për mundësinë e shtyrjes së Seancës së ditës së enjte për shkak të situatës së fatkeqësisë natyrore. Në këtë Konferencë ishin prezent përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët ndryshe nga Zoti Rama, dhanë mirëkuptimin e tyre për mundësinë e shtyrjes së Seancës Plenare, dhe treguan më shumë ndjeshmëri ndaj fatkeqësisë natyrore”, thuhet në njoftim.

Advertisement