Gjatë fjalës së mbajtur në tryezën e PS-së për bujqësinë, Rama tha se programi i PS-së do t’i japë jetë një zhvillimi rural modern dhe të qëndrueshëm. “Kur flasim për zhvillim rural ne vendosim një vijë të qartë ndarëse me ata që sot e keq qeverisin fshatin dhe të gjitha marrëdhëniet që e mbajnë të mbyllur në kornizën e pamjaftueshme të zhvillimit rural. Zhvillimi rural është shumë më tepër se një zhvillim bujqësie, pasi furnizimi i tregut të brendshëm me produkte bujqësore lidhet me zhvillimin rural si një koncept bazë për zhvillimin e fshatit”, theksoi kreu i PS-së. Sipas tij, rruga drejt një zhvillimi modern rural është e lidhur në mënyrë të pandashme me rrugëzgjidhjen e problemit të pronës. “Ferma shqiptare sot është e bazuar në modelin familjar, kushtëzohet në një sipërfaqe shumë të vogël dhe është nën kërcënimin e konflikteve të pronësisë. Shqipëria sot eksporton 8-9 herë më pak sesa importon. Këtë nuk e ka asnjë vend europian dhe kjo përbën një raport të papranueshëm. Shqipëria bën pjesë në marrëveshjet e tregtisë së lirë, por ka mbetur e pazhvilluar në hapësirën e vet rurale, dhe përtej energjisë për të mbijetuar të fshatit, duke u mbështetur vetëm tek kërkesa në tregun vendas, është bërë viktimë e vetvetes”, tha Rama.